Ndër pikat më të rëndësishme të rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit Nr. 06/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorinë e Shtetit i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-034.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se ky projektligj ka për qëllim rritjen e numrit të prokurorëve specialë dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.
“Ka ndërhyrje në ligjin bazë për Ligjin për Prokurorin. Ndërhyrjet janë bërë në amandamentin e ligjit bazë, rishikimi i kritereve për prokurorët në prokurorinë speciale. Caktimi i prokurorëve është i përkohshëm deri në 1 vit”, tha Tahiri.
“Ky projektligj ka për qëllim ngritjen e efikasitetit të shkallës së profesionalizmit për efektivitet më të madh në ligj. Me miratimin e këtij ligji do të shënojmë rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale, për luftimin e suksesshëm të korrupsionit dhe krimit të orgorganizuar. Prokuroria Speciale ka 15 prokurorë specialë dhe për shkak të kritereve të rënda nuk ka mund të përmbushë numrin e prokurorëve”.
Në emër të PDK-së, deputeti Hajdar Beqa tha se e mbështesin këtë projektligj.
“Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shqyrtuar në parim projektligjin. Ai i përmbush kushtet për miratim dhe i propozojmë Kuvendit për miratim”.
“Grupi Parlamentar i PDK-së do ta japë kontributin sepse ky ligj i përmbushë të gjitha kriteret dhe reformat që i ka bërë Ministria e Drejtësisë dhe që është për t’u lavdëruar”, tha Beqa.