Po shijonin lirinë nga arratia, Policia arreston tre persona të kërkuar nga Gjykatat

Prishtinë | 22 Shk 2023 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, Sinjali mëson se kanë rënë në pranga të Policisë disa persona të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.

Rasti i fundit ka ndodhur pas mesnate më rrugën “Shala e Bajgorës” në Mitrovicë, ku u arrestua A.A., 25-vjeçar. I riu po kërkohej në bazë të një urdhëresë të lëshuar nga dega e gjykatës në Vushtrri, pasi ishte shpallur fajtor për një rast të mëhershëm. Ai ishte dënuar me burgim, prandaj pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

Personi tjetër që ra në prangat e Policisë është S.D., ndaj të cilit kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte dënuar për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”. 43-vjeçari u kap në orët e pasdites së djeshme dhe më pas u dërgua në njërën nga qendrat korrektuese.

Teksa i dënuari tjetër që qëndronte në arrati por u kap gjatë ditës së martë në Gjilan është M.F., 41-vjeçar, i cili po ashtu ishte dënuar me burgim për një rast për të cilin akuzohej. Gjykata e kishte shpallur fajtor, prandaj i njëjti u dërgua në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, për ta vuajtur dënimin.

Të ngjashme