Zyrtarët komunalë të Podujevës janë larg realizimit të planit për arkëtimin e të hyrave vetjake për vitin 2018.
Në tre muajt e parë të këtij vitit ata kanë arritur të realizonin vetëm 17 për qind të mjeteve të planifikuara për sivjet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo përqindje është shumë më e vogël në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Me arkëtimin e të hyrave nuk janë pajtuar zyrtarët opozitarë të LVV-së e PDK-së.
“Më shqetësuesja që është në këtë raport financiar është arkëtimi i të hyrave vetjake, konkretisht arkëtimi nga qiraja. Në periudhën kohore janar-mars 2018 janë arkëtuar vetëm 3626 euro apo 70 për qind më pak se në periudhën e njëjtë kohore paraprake. Kjo tregon qartë mungesën e seriozitetit gjatë hartimit të planit afatmesëm të të hyrave vetjake, sepse realisht një plan i tillë ekziston, mirëpo del të jetë i bërë vetëm sa për sy e faqe”, ka thënë këshilltarja e LVV-së, Doruntina Hasani.