Komuna e Podujevës pagoi inventar për të cilin nuk e kishte pranuar. Kështu të paktën ka gjetur Auditori Gjeneral gjatë inspektimit që i bëri Komunës së Podujevës në vitin e kaluar. Auditori nuk ka asnjë të dhënë nëse inventari i paguar ka shkuar ndonjëherë në Komunë. Kjo e gjetur e Zyrës së Auditorit Gjeneral është shënuar në Raportin vjetor për Komunën e Podujevës, shkruan lajmi.net.
Auditori po ashtu ka gjetur edhe një sërë shkeljesh tjera në këtë Komunë.
“Për projektin “Inventarizimi i objektit të ri komunal” në vlerë 74,092 euro, komuna kishte kryer pagesën e parë në vlerë 61,124 euro në dhjetor 2017. Ne kemi ekzaminuar në teren gjendjen e këtij inventari dhe konstatuam se menaxheri i kontratës kishte nënshkruar specifikat për pranim të inventarit edhe pse pjesa më e madhe e tij nuk gjendej në objektin e ri komunal. Sipas zyrtarëve, inventari nuk ishte pranuar në tërësi meqë në objektin e ri kishte pasur rrjedhje uji dhe inventari gjendej në mobilierinë e kontraktuar. Në lëndë nuk kishte ndonjë dokument që vërtetonin krijimin e kushteve të tilla, raportimin e gjendjes apo dokumente që vërtetonin se inventari gjendet tek operatori apo që pronësia i takon komunës. Vlera për inventarin që nuk ishte në objekt por për të cilin ishte kryer pagesa, ishte 52,384 euro”, thuhet në Raportin e Auditorit për pasqyrat financiare të Podujevës për vitin 2017.
Lidhur më këtë, Auditori ka shfaqur rrezikun që kryerja e pagesave në mungesë të pranimit faktik të mallrave apo punëve bie ndesh me rregullat financiare për shpenzimin e parave publike dhe përbën rrezik të vazhdueshëm që komuna të humb paratë e dhëna. “Gjithashtu, veprimet e tilla lënë hapësirë për dyshime se komuna përfshihet në marrëveshje verbale joligjore me Operatoret Ekonomik vetëm në mënyrë që pagesat të iu kryhen sa më parë operatorëve”.
Lidhur me të gjeturat për pasqyrat financiare të vitit 2017, Auditori i ka dhënë Podujevës “Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes”. Si theksim të çështjes, për faktin se informatat e shpalosura në Pasqyrat Financiare Vjetore në lidhje me pasuritë dhe Llogaritë e Arkëtueshme nuk janë të sakta.
Në tokë të komunës si në “bahçe të babës”
Toka e komunës në disa raste po përdorët “gratis” nga palët e ndryshme dhe për këtë Komuna nuk po merr masa.
“Në një rast, komuna ka ngarkuar me qira mujore personin edhe pse kontrata i ishte ndërprerë, megjithëse i njëjti vazhdon ta shfrytëzon pronën komunale pa kontratë. Obligimet e tij ndaj komunës kishin arritur vlerën 12,538 euro. Ndërsa në një rast tjetër, edhe pse qiramarrësi ishte i obliguar të paguaj vlerën prej 330 euro për qira mujore, ai nuk ka paguar asnjëherë duke u rritur borxhi i tij në 22,110 euro, si dhe të njëjtit nuk i është ndërprerë kontrata dhe vazhdon të shfrytëzoje të njëjtën pronë. Komuna aktualisht kishte shpërndarë njoftime tek qiramarrësit që nëse nuk paguajnë borxhin do të merren masa ndaj tyre”, thotë Auditori.
Sipas të gjeturave, nga pronat e dhëna me qira, nga 225 qiramarrës, 183 prej tyre nuk kanë kryer asnjë pagesë gjatë vitit 2017, përkundër obligimeve kontraktuale.
Diskriminim pagash
Për kategorinë paga dhe mëditje, ndonëse ka buxhet të mjaftueshëm, sipas të dhënave te Raportit, Komuna nuk ka arritur të harmonizojë koeficientet e punonjësve që janë të lejuar me buxhet, me ata aktual. Kjo ka bërë që punonjësit të dëmtohen në pagë.
“Në këtë aspekt, për 14 inspektorë janë të buxhetuara paga me koeficientë 7, ndërsa 13 prej tyre paguhen me koeficientë 6; tek shërbimet kadastrale pesë pozita janë të lejuara me koeficientë 7, derisa vetëm një prej tyre paguhet me këtë koeficientë. Në lidhje me këtë, në vitin 2016, komuna kishte marrë një përgjigje nga MAP, sipas së cilës kërkesa e komunës për ngritje të këtyre koeficienteve nuk ka bazë ligjore sepse duhej pritur që të zbatohet vendimi i Qeverisë11 për sistematizim. Që nga kjo periudhë komuna nuk ka ndërmarrë ndonjë hap tjetër”.
Punësimet e kundërligjshme, që 8 vite me kontratë mbi vepër
Komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme, kishte angazhuar 23 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV). “Në 10 rastet e rishikuara kemi vërejtur se zyrtarët ishin angazhuar në kryerjen e punëve për periudhën më të gjatë se gjashtë muaj. Përveç tjerash dy prej tyre ishin duke kryer aktivitetet që nga viti 2010. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme si konsulent, zyrtarë për bujqësi, përkthime, digjitalizim të rrugëve, roje, pastruese, etj”, thotë Auditori.
Prokurimi udhëhiqet nga i besuari i kryetarit
Sipas Rregullores 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, neni 4, për pozitat drejtuese në rast se nuk ka kandidatë nga nëpunësit ekzistues, atëherë zhvillohet procedura e hapur e rekrutimit.
Përkundër kësaj, Auditori ka gjetur se, pozita e udhëheqësit të prokurimit, kishte mbetur e lirë që nga janari i vitit 2017, nga kur ishte pensionuar nëpunësi dhe ende nuk ishte shpallur konkurs. “Kryetari i Komunës, kishte autorizuar një zyrtar të prokurimit për nënshkrimin e kontratave deri në zgjedhjen e udhëheqësit të prokurimit. Përkundër kësaj në planin e personelit, plotësimit të kësaj pozite i ishte dhënë prioritet, mirëpo sipas tyre nuk po gjendet kandidat i cili përmbush kushtet e përcaktuara. Njëkohësisht, komuna kishte angazhuar si ekspert në fushën e prokurimit, ish menaxherin e prokurimit, me marrëveshje për shërbime të veçanta, fillimisht për gjashtë muaj dhe pas kësaj periudhe është vazhduar kontrata edhe për gjashtë muaj tjerë. Sipas ligjeve në fuqi këto kontrata nuk duhet të tejkalojnë periudhën gjashtë mujore”.
Subvencionet e kundërligjshme
“Te ftesa publike për përkrahjen e fermerëve me sistemin e ujitjes pikë-pikë, komuna kishte vendosur kriter që fermerët të cilët ishin përfitues të mëhershëm të subvencionit të mos përfitojnë edhe subvencionin e dytë. Ndërkohë që në rastin e testuar i njëjti person paraprakisht kishte fituar një projekte për serë si dhe ishte përfitues edhe i projektit për sistemin e ujitjes”, thuhet në Raport.
Sipas Auditori, mos respektimi i kritereve të vendosura nga vet komuna, mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton përfituesit e rinj potencial.
Procedura e sterpërdorur e prokurimit që rrezikon fondet
Nga 209 kontrata të nënshkruara përmes procedurave tenderuese, Auditori ka gjetur se 68 prej tyre (32%) ishin bërë sipas procedurës minimale si dhe 41 (20%) ishin me kuotim çmimesh. “Kjo përbën një raport relativisht të lartë të përdorimit të këtyre procedurave, dhe paraqet një dukuri jo të favorshme kur marrim parasysh madhësinë e kësaj komune si dhe humbje financiare për shkak se në rastet e tilla çmimet e ofertuesve mund të jenë më të larta”.
“Më tej, sipas Ligjit të Prokurimit, Autoriteti nuk do të ndajë kërkesën për prokurim për një sasi të caktuar të produkteve me qëllim të zvogëlimit të vlerës së kontratës për furnizim nën kufirin e caktuar. Gjatë vitit 2017, ishin zhvilluar 23 procedura të prokurimit për hartimin e projekteve të ndryshme zbatuese sipas procedurës së vlerës minimale apo kuotim që në total përbëjnë vlerën mbi 106,996 euro, kjo në vend se të shkonin me një tender prokurimi/procedura të hapura. Për këtë çështje, ne nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga komuna (departamenti i prokurimit)”, thotë Auditori.
Nga kjo, është shfaqur rrezikun që përsëritja e blerjeve të njëjta gjatë periudhave të përafërta kohore dhe përdorimi i lartë i procedurave të kufizuara, bën që komuna t`i shmanget procedurave të hapura, si pasojë shërbimet në këtë mënyrë mund të ofrohen me çmime më të larta, kualitet më të ulët dhe të mos arrihet vlera për paranë e shpenzuar. Edhe pse kuotimi tashmë është procedurë e hapur, afatet ligjore dhe vlerat janë më të kufizuara se sa tek procedura e hapur, prandaj rrezikon konkurrencën e drejtë.
Auditori i ka dhënë 22 rekomandime Komunës së Podujevës.