Policia dhe EULEX-i nuk tregojnë nëse ekzekutojnë fletëarrestet e Speciales

Prishtinë | 09 Kor 2017 | 10:13 | Nga

Policia e Kosovës, as nuk e ka marrë mundin të deklarohet nëse do të ekzekutojë fletëarrestet e lëshuara nga Gjykata Speciale, pavarësisht se për një gjë të tillë është e obliguar me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrёn e Prokurorit tё Specializuar.

Edhe në EULEX, nuk kanë dashur të flasin, pavarësisht se funksionalizimi i Speciales tashmë është bërë, dhe priten aktakuzat e para të bëhen publike shumë shpejtë.

“Ju lutemi t’i adresoni pyetjet tuaja në vetë Dhomat e Specializuara. Dhomat e Specializuara janë një institucion i pavarur,” i ka thënë arbresh.info zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikoliq Solomon.

Sipas Ligjit, “Fletarrestimet e lëshuara nga Dhomat e Specializuara e kanë fuqinë dhe efektin e njëjtë me atë të fletarrestimeve të lëshuara nga ndonjë gjykatë tjetër e Kosovës. Kur ky fletarrestim ekzekutohet, polici i cili e kryen arrestimin e transferon personin e arrestuar nën ndalimin e Dhomave të specializuara.”

Pavarësisht dërgimit formal të personit nën ndalimin e Dhomave të Specializuara, ai person mund të paraburgoset në ndonjë ambient paraburgimi në Kosovë në emër të Dhomave të Specializuara nëse kjo gjë kërkohet deri në kryerjen e transferimit për në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Për këtë çështje janë pyetur edhe zyrtarë të Gjykatës Speciale, por edhe këta janë treguar të mangët në sqarimin se kush do të ekzekutojë fletëarrestet e lëshuara nga Gjykata Speciale.

“Për sa u përket arrestimeve, nuk është e përshtatshme që në këtë moment të diskutohen pyetje që lidhen me çështje operative të mundshme,” i kanë thënë arbresh.info, zyrtarë për informim të Speciales.

Në gusht 2015, Kosova miratoi Ligjin për krijimin e Zyrës sё Prokurorit tё Specializuar (ZPS) për hetimin dhe ndjekjen penale tё krimeve tё rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare tё kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë mё 1998, 1999 dhe 2000.

Ligji e autorizon Zyrёn e Prokurorit tё Specializuar (ZPS) tё hetojё dhe ndjekë penalisht krimet e kryera në lidhje me veprimet e përmendura në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Doc. 12462, tё datës 7 janar 2011 (“Raporti Marty”).

Vetëm në kёtё mёnyrё mund tё fshihet njolla e ngjarjeve tё trajtuara nё Raportin e Këshillit të Evropës, faktor që përbën pengesё pёr integrimin e plotё tё Kosovёs nё bashkёsinё ndёrkombёtare.

Me kërkesë të Prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhërarrestim apo fletarrestim dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e specializuara, si dhe çfarëdo urdhri tjetër që mund të kërkohet për zhvillimin e hetimeve dhe për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë, përfshirë urdhrat që kanë të bëjnë me mundësinë e veçantë hetimore dhe masat e posaçme hetimore.(arbresh.info)

Të ngjashme