Policia e Kosovës sqaron tri incidentet e fundit

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 15:52 | Nga

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), përmes një kumtese reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara në disa mediume vendore, duke përfshirë ato serbe, të cilat i referohen kryesisht tri rasteve të raportuara me 31.05.2018.

Sipas shkrimeve të publikuara në disa nga këto mediume, ku ditëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar tri raste të ndara të incidenteve, ku sipas tyre thuhet “të jenë të motivuara etnikisht dhe se nga institucionet e Republikës së Kosovës nuk është respektuar ligji”.

Për hir të korrektësisë dhe transparencës së vazhdueshme që ka treguar me media dhe opinionin, Ministria e Punëve të Brendshme demanton shkrimet e tilla tendencioze të këtyre mediumeve duke sqaruar se rastet e paraqitura janë trajtuar me kompetencë dhe profesionalizëm, në pajtim me të gjitha procedurat dhe ligjet e aplikueshme në vend.

Sipas raporteve zyrtare në të tri rastet e raportuara, atë në fshatin Grackë të Lipjanit, Zallq të Klinës dhe Novak të Prizrenit, Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, identifikimit të personave të mundshëm të përfshirë në raste, ku në mënyrë efikase dhe efektive ka arritur të ofrojë siguri të plotë, të identifikojë dhe arrestojë personat e dyshuar të përfshirë në raste, ku vlen të theksohet se katër prej personave të ndaluar kanë qenë të moshës së mitur.

Të gjitha procedurat e mëtejme rreth këtyre rasteve janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Ministria e Punëve të Brendshme ju siguron se Policia e Kosovës është e përkushtuar të veprojë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të incidenteve të çfarëdo natyre qofshin ato, duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa përjashtim.

Gjithashtu, MPB informon opinionin publik se situata e sigurisë është e qetë dhe stabile në gjithë vendin dhe nuk ekziston nevoja e ngritjes së ndonjë shqetësimi nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie ose religjioni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme