1 miliard eurot e autostradës së Dukagjinit LDK-ja do t’i ridestinojë, Qeveria thotë se do të ndërtohet

Prishtinë | 15 Dhj 2019 | 08:09 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) janë shprehur kundër ndërtimit që Autostradës së Dukagjinit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për Ekonomia Online, ka thënë se paratë e dedikuara për këtë autostradë, do të shkojnë në zgjerim të rrugëve dhe në projekte tjera, që sipas tij përfitojnë më shumë qytetarët e rrafshit të Dukagjinit.

Si projekt, përmend dyfishimin e tokave bujqësore me zgjerim të rrjetit të ujitjeve.

“Autostrada e Dukagjinit nuk duhet të ndërtohet mbi baza të argumenteve politike por mbi bazat të studimeve të fizibilitetit, nga njerëz të fushës që arsyetojnë këtë investim. Studimet e fizibilitetit tregojnë që nuk ka intensitet të trafikut aq të madh sa ta arsyetojmë ndërtimin e një autostrade, por ndërtimin e një rruge me nga dy korsi që mundëson qasje të lehtë të qytetarëve edhe zhvillim për disa vite të një korridori të bizneseve nga Peja në Gjakovë, e deri në Prizren”, ka thënë Hoti për EO.

“Mjetet e Autostradës së Dukagjinit do të shkojnë në projekte të tjera që me të cilat do të përfitojnë qytetarët e krejt rrafshit të Dukagjinit. Është projekti i ujitjes së tokave bujqësore të ‘KRU Radoniqi’, do të dyfishohen tokat në ujitje, është bërë studimi i parafizibilitetit sa ne kemi qenë në qeveri, tash duhet të shkojmë më tutje duke përgatitur studimin detal për krejt Kosovën, përfshirë edhe rrafshin e Dukagjinit në sistemin e ujitjes”.

“Do të investohet në zgjerimin e rrugës me nga dy korsi, nga Istogu-Pejë-Deçan-Gjakovë, e deri në Prizren me rrethrrotullim nëpër vendbanime kryesore dhe në rrugë tranzite për të evituar trafikun nëpër qytetet që kalon rrugë”, ka thënë Hoti.

Por, ndërtimi i kësaj autostrade do të bëhet sipas ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ky i fundit, për Ekonomia Online, ka thënë se ndërtimi i saj do të bëhet.

Lekaj u shpreh i bindur se ky projekt do të realizohet.

“Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mendoj se nuk kanë të drejtë ta thënë këtë sepse edhe Dukagjini është pjesë e Kosovës sepse janë mbi 620 mijë banorë që u nevojiten infrastrukturë dhe nuk u shërben individit por komunitetit, u shërben qytetarëve dhe ekonomisë. Prandaj është absurditet i llojit vet kur e dëgjoj se unë nuk shikoj krahinë, por as regjione por kam punuar për qytetarët e të tjerët letë flasin sa të duan por Autostrada e Dukagjinit do të bëhet”, ka thënë Lekaj.

Lekaj më tej sqaroi se autostrada e Dukagjinit, do të bëhet me pagesë, por jo me tarifë të lartë.

“Jo ne jemi në suazën e fizibilitetit pas suazës së fizibilitetit ne do të shikojmë edhe gjendjen ekonomike të qytetarëve pastaj do të vendosim, por nuk do të jetë tarifë e lartë sepse në fokus e kemi qytetarin e Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Ndërtimi i kësaj autostrade kap shifren e një miliard euro.

Lexo më shumë:

Të ngjashme