A e favorizon ndonjë për kryetar të PDK-së, flet Sami Lushtaku

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku ka folur pas shpalljes së zgjedhjeve për kryetar të ri të partisë së tij.

Lushtaku ishte emër i përfolur si kandidat i mundshëm për të udhëhequr me PDK-në, mirëpo ai ka mohuar, duke thënë se nuk do të garojë për të parin e partisë.

Në një prononcim për Periskopin ka thënë se ai është kandidatë vetëm për kryetar të Skenderaj dhe jo për të udhëhequr me PDK-në.

“JO, unë nuk garoj për kryetar të PDK-së. Do të jem kandidat për kryetar të komunës së Skenderajt në zgjedhjet lokale të muajit tetor.”, ka thënë ai.

I pyetur se kë përkrah për kryetar të PDK-së, Lushtaku nuk përmendi ndonjë emër.

“Sa i përket kandidatëve potencialë për kryetar të partisë, gara është e hapur për të gjithë ata që kanë synime të tilla!”, ka thënë ai.

Ndryshe, PDK ka marrë vendim që me 3 korrik të mbaje zgjedhjet e brendshme për të zgjedhur kryetarin e ri, pasi që deri më tani këtë detyrë e ushtronte, Enver Hoxhaj.

Deri më tani nuk ka asnjë shpallje zyrtare të kandidaturave.

Të ngjashme