AKK nuk e konfirmon zyrtarisht se ka ngritur kallëzim penal ndaj Martin Berishajt

Prishtinë | 17 Gus 2022 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk e ka konfirmuar zyrtarisht por as nuk e ka mohuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, ani pse partite opozitare kërkuan shkarkimin e Berishajt duke iu referuar kallëzimit penal.

Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkajn për këto raportime s’e ka konfirmuar e as mohuar dhe ka sugjeruar që pyetjet të drejtohen te agjencia, raporton express.

“Ju faleminderit për kontaktin. Por, unë nuk mundem as ta konfirmojë dhe as të e mohojë pretendimin tuaj. Për përgjigje nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ju lutem shkruani në adresën [email protected]”, ka thënë Buleshkaj.

Dorëzimin e kallëzimit penal s’e ka konfirmuar as agjencia, duke thënë se ligji i obligon që të ruajnë konfidencialitetin e informacionit, meqë Prokuroria gjatë trajtimit të rastit, mund ta hedhë kallëzimin apo të zhvilloj hetime dhe ndjekje penale.

“Në lidhje me pyetjen e adresuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e obliguar ta respektoj dispozitën ligjore të Ligjit NR.08/L-01703/ për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti dhe i njëjti ka përcaktuar me  Nenin 28 ( Publikimi, mbrojtja e të dhënave, ruajtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i informacionit) se: Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi. 2. Në kuptim të këtij ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen: 2.1. informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia, … 3. Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë sepse Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvilloj hetime dhe ndjekje penale”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për Express..

AKK’ja kishte nisur ta trajtojë këtë rast pas raportimeve se Berishaj nuk ka deklaruar dy bizneset që i ka në pronësi.

Dy kompanitë e tij, “Myloja” dhe “Zaslon Kosova” figurojnë vetëm në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Ndryshe, ka kohë që mediat në slloveni kanë “vluar” me raportimet për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, meqë përflitej se diplomati kosovar dyshohej si i përfshirë në një skandal të shpërlajrjes së parave përmes kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi.

Siç raportonin mediat në Slloveni, Berishaj dyshohej se kishte marrë 600 mijë euro nga dega e GEN-it në Beograd dhe se të njëjtat kishin përfunduar në “cash” tek politikani slloven, Robert Golob.

Vetë ambasadori Berishaj ka mohuar gjithçka, ndërkohë Prokuroria e Malit të Zi për Gazetën Express ka konfirmuar se kanë kryer hetime lidhur me rastin dhe sipas rezultateve preliminare ka rezultuar se s’ka bazë për ndjekje penale.

Gjithathtu nga Prokuroria Speciale e Malit të Zi kanë thënë se lidhur me transaksionet e parave nga GEN-i në llogari të firmës së Martin Berishajt nuk është gjetur asnjë parregullsi.

Të ngjashme