Aktakuza e ndryshuar: Ish-presidenti Thaçi deklarohet i pafajshëm

Prishtinë | 10 Maj 2022 | 10:41 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e së martës, është deklaruar i pafajshëm nga akuzat e reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ndërkaq, ka thënë se nuk i ka kuptuar të njëjtat pasi nuk ka pasur mundësi t’i lexojë pasi janë shumë të redaktuara.

Paraprakisht, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se qëllimi i kësaj seance, është t’i lexohen të akuzuarit akuzat e paraqitura në gjuhën që flet, të konfirmojë se e kupton aktakuzën, bindet se  të drejtat e të akuzuarit të respektohen.

Tutje, gjykatësi tha se Thaçi do të informohet se brenda 30 ditësh mund të vetdeklarohet  për fajësinë apo pafajësinë, por edhe se të njëjtin deklarim mund ta bëj edhe gjatë kësaj seance.

I pyetur nga gjykatësi Guillou se a ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të datës 29 prill 2022, e cila përmban ndryshimet, pra akuzat e reja, Thaçi e konfirmoi këtë.

Më pas, i erdhi radha leximit të akuzave nga sekretarja e gjykatës, por me propozim  të   mbrojtjes dhe aprovim të Thaçit, ata kanë bërë të ditur se nuk kanë nevojë të lexohen akuzat e reja.

E më pas, gjykatësi Guillou tha se kërkon nga sekretarja të mos i lexoj akuzat e reja.

Ndërsa, Thaçi i pyetur se a kupton akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar, i njëjti deklaroi se nuk i  ka kuptuar pasi nuk ka pasur  mundësi t’i lexojë pasi janë shumë të redaktuara.

Avokati Gregory Kehoe tha se akuzat janë shumë  të redaktuara dhe kjo e bën klientin e tij dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi të kuptojnë se çfarë saktësisht po paraqet Prokurori i Specializuar dhe se kjo është vështirësi e vazhdueshme.

“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga ai se për çfarë bëhet fjalë dhe ne i kemi kaluar këto me Thaçin, i kemi diskutuar këto çështje dhe kemi thënë se do të vetdeklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe.

Ndërsa, Thaçi tha se nuk dëshiroj të shtoj diçka, dhe u deklarohet i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk  e ka lexuar e kuptuar, por se deklarohet i pafajshëm.

“Duke pas parasysh këto redaktime, presidentit Thaçi po paraqet një deklarim jo fajtor, i  pafajshëm” tha Kehoe.

Gjyqtari tha se e thotë për publikun se ka vërtetë redaktime në aktakuzë dhe se ato janë miratuar nga gjykata.

Tutje, gjyqtari Guillou, lexoi Thaçit të gjitha të drejtat e tij të garantuara me ligj, për të cilat ai tha se i ka kuptuar të njëjtat.

Më pas, gjykatësi tha se e pyet zyrtarisht lidhur vetdeklarimit, edhe  pse Thaçi e tha më herët.

“Do të kërkoj zyrtarisht të më thoni nëse deklaroheni fajtor apo jo fajtor lidhur me akuzat e reja që përmban aktakuza e ndryshuar”, tha Guillou.

“Zoti gjyqtar theksova edhe njëherë amendamentet e juaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj nuk kam mundur edhe t’í kuptoj dhe deklarohem i pafajshëm”, tha Thaçi.

Në fund, avokati Kehoe, deklaroi se ende apeli që kanë bërë për mangësitë në formën e aktakuzës është në Dhomën e Gjykatës së Apelit dhe nuk kanë marrë akoma përgjigje.

“Po kështu është edhe çështja tjetër është për afatin e mocioneve sipas rregullës 94”, tha Kehoe.

Gjykatësi tha se afatet do të fillojnë nga dita e sotme.

Lexo më shumë:

Të ngjashme