Ambasada e Britanisë së Madhe: Shpallja e konkursit për Kryeprokuror pa mbështetjen tonë ishte vendim befasues

Prishtinë | 13 Jan 2022 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Britanisë së Madhe është shprehur e befasuar me vendimin e marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për të shpallur konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në një reagim të Ambasadës Britanike, thuhet se kishin ofruar mbështetje për rekrutimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa teksa po prisnin përgjigje nga KPK-ja, janë befasuar me vendimin e djeshëm.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues”, thuhet në reagim

Me këtë veprim, sipas Ambasadës Britanike, KPK-ja e ka humbur një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë.

“Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në këtë reagim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme