Analistët thonë se propozim aktakuza pati për qëllim dëmtimin e dialogut dhe Kosovës

Prishtinë | 27 Qer 2020 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria e Specializuar e Hagës të mërkurën ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli, në të cilën pretendohet se ata dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura përfshijnë viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Kjo u bë e ditur pak ditë para mbajtjes së takimit të 27 qershorit në Washington të thirrur nga emisari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosov-Serbi, Richard Grenell, në të cilin pritej të rifillonin bisedimet Prishtinë-Beograd.

Pas kësaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti, anuluan pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

Thaçi deri më sot nuk ka dalë me asnjë deklaratë rreth kësaj ngjarje, ndërsa Veseli ka mohuar përfshirjen në çfarëdo akti kriminal.

Pos në vend ky lajm mori jehonë botërore edhe në mediat e huaja, por edhe nxiti reagime të shumta.

Për opinionistin, Faton Abdullahu, kjo aktakuzë ka pasur për qëllim ta pengoj dialogun Kosovë- Serbi dhe tani për tani sipas tij duket se ia ka arritur këtij qëllimi.

“Mendoj se vendimi i prokurorit është politik dhe i nxitur nga qëllimi për ta penguar Uashingtonin zyrtarë, përkatësisht Administratën Trump, që të nxjerrë përfitime nga një sukses i mundshëm i këtij dialogu. Duket se ka në Evropë rryma, njerëz e klane që janë të pakënaqur deri në revolt, me vendimet e Presidentit Tramp të cilat prodhojnë efekte në çështje të sigurisë, financave dhe tregtisë, sidomos te disa vende të cilat kanë raporte të mira me disa shtete që nuk i takojnë gjeopolitikës evro-atlantike. Për rrjedhojë është e përzgjedhur kjo formë e vrazhdë, mbase edhe hakmarrëse, që me këtë akuzë, të bërë publike në mënyrë jot ë zakonshme, të pengohet dialogu, apo thënë ndryshe t’i merret Trampit karta politike nga dora të cilën ai mund ta shiste para zgjedhjeve si arritje historike”.

Abdullahu ka deklaruar se kjo akuzë e dëmton Kosovën në shumë sfera.

“Koha dhe mënyra si është bërë kjo akuzë më jep të drejtë të konstatoj se kemi të bëjmë me një vendim të kalkuluar politikisht, besa ndoshta edhe të menduar me djallëzi. Si i tillë ka pasur për qëllim ta arrijë disa efekte për të cilat tani për tani nuk mund të flasim me fakte krejt të pakontestueshme. Ajo çfarë mund të konstatohet pa dyshim është se kjo akuzë e dëmton Kosovën në shumë sfera. Imazhi i Kosovës dëmtohet pashmangshëm dhe efektet negative mund të përjetohen si në investime ashtu edhe në politika qeverisëse”.

I pyetur se pas gjithë kësaj a duhet të jap presidenti dorëheqje, Abdullahu deklaroi se për aq sa kjo akuzë është më shumë vendim politik se sa juridik për aq Presidenti duhet pasur shumë kujdes në veprime.

“Dorëheqja e tij mund të jetë në shërbim të atyre që nuk ia duan të mirën gjeopolitikës evro-atlantike në rajon. Mendoj se ky veprim i Presidentit duhet të bëhet në koordinim me Administratën Trump, konkretisht z. Grenell. Dialogu është penguar, por nëse është kështu sikundër po e analizoj unë ai nuk mund të ndalet. Presidenti Thaçi duhet të mendoj për përfitimet e Kosovës nga dialogu dhe kjo duhet të jetë shtysë e veprimeve të tij. Fundja akuza nuk ka marrë formë të prerë dhe ka ende kohë për të menduar e vepruar”, ka thënë Abdullahu për klankosova.tv.

Ndërsa opinionisti dhe publicisti, Shkelzen Maliqi, deklaroi se dorëheqja e Thaçit nuk do t’i komplikojë doemos punët.

“Presidenti duhet të reflektojë dhe besoj se do të jap dorëheqje, sepse kjo çka ndodhi e dëmton imazhin e vendit edhe atë e paralizon. Por, ai mund edhe ta pret vendim e Gjykatës Speciale, sepse me këtë që ka dal në opinion ai është vetëm i dyshuar, jo edhe i akuzuar për krime”.

“Dorëheqja nuk do t’i komplikojë doemos punët. Nëse SHBA-të dhe BE e gjejnë gjuhën e përbashkët që t’i riparojnë dëmet dhe të vazhdohet dialogu – gjë që duket e vështirë por jo e pamundur, – mund të kemi një qeveri të re më përfshirëse dhe kalimtare deri në vitin tjetër,p.sh. me përfshirjen e PDK-së, që mund ta udhëheq Avdullah Hoti. Por, ka edhe varianta tjera, p.sh.shkohet në zgjedhje në vjeshtë me koalicione që do të provojnë ta ndalin LVV-në… Cirku i madh politik vazhdon…”.

Maliqi mendon se ndikimi i aktakuzës për Kosovën do të jetë i madhe dhe substancial, sipas tij Kosova duhet të reflektojë strategjinë e mëtutjeshme të dialogut.

“Me gjakftohtësi duhet të analizohet aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit dhe të tjerëve, sepse në kumtesën e publikuar të prokurorisë thuhet se pjesë e aktakuzës së deponuar janë edhe të tjerët… Nëse këto akuza janë në nivelin e atyre që kanë qenë në raportin e Dik Martit, pa dëshmi bindës edhe me shumë spekulime, mund të fitohet procesi dhe të thellohet komprometimi politik i Gjykatës Speciale. Ne nuk duhet të mohojmë a priori nevojën që të gjykohet çdo krim që është bërë gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke përsëritur si parullë bindjen se lufta e UCK-së ka qenë e shenjtë dhe e pastër”.

“Duhet të hetohen, kur është kjo e mundshme, edhe nga hetuesia e Kosovës, rrethanat në të cilat kanë ndodhur krimet ndaj civilëve serbë, shqiptarë, rom etj., e që do të janë pjesë e aktakuzës, nëse bëhet kallximi penal. Po ashtu, duhet të punohet në ngritjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocidë, duke shënjestruar krimet masive të luftës siç janë vrasjet e civilëve dhe bartja e kufomave në Serbi, ku janë fshehur”.

Edhe Maliqi deklaroi se pas kësaj aktakuze bëhet fjalë për një diversion politik ndaj nismës amerikane për vazhdimin e dialogut.

“Do të duhej të sqarohej si ndodhi që deponimi i propozimit të aktakuzës së prokurorisë speciale u publikua me atë përmbajtje që kishte. Pasojat u panë menjëherë, u analua takimi ne Shtëpinë e Bardhë!”, ka thënë Maliqi.

Thaçi nesër do të dal me një konferencë në të cilën do t’iu drejtohet të gjithëve, pasi ishte jashtë shtetit.

Të ngjashme