Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë | 03 Gus 2017 | 12:02 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njëqind e njëzet deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës kanë dhënë betimin.

Në betimin që e lexoi kryesuesi i Kuvendit, mes tjerash thuhet: “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin…”.

Betimi i plotë:

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem!

Deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, i cili si deputet më i vjetër po e udhëheq seancën konstituive, në fakt ka ndryshuar pak tekstin e betimit.

Edhe pse në protokoll e rregullore të Kuvendit nuk thuhet “betohem me zemër”, por vetëm “betohem”, Mikullovci ka përdorur në fund “betohem me zemër”.

“Betohem me zemër” është përdorur nga kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti gjatë fushatës.

Seanca konstituive shpërfaq ndarjen e madhe

Parlamenti i ri i Kosovës u mblodh sot për herë të parë pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, por dështoi të zgjedhë udhëheqjen e tij.

Seanca e cila filloi me vonesë, u ndërpre menjëherë pas betimit të deputetëve, meqë koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kërkoi dy orë pushim para se të hidhet propozimi dhe të votohet për kryetarin e parlamentit. Ky post, i takon koalicionit fitues.

Nga 120 deputetë sa ka parlamenti i Kosovës, 60 votuan në favor dhe 60 kundër këtij propozimi dhe kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci tha se në raste të tilla propozimet nuk kalojnë.

“Meqenëse rezultati ishte 60 për dhe 60 kundër, rezultati është i barabartë propozimi bie poshtë dhe nuk miratohet”, tha ai.

Kjo nxiti pakënaqësinë e koalicionit fitues dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kritikoi mënyrën e drejtimit të seancës.

“Ju nuk jeni i pari i familjes por vetëm udhëheqës i seancës, ju kisha lutë mos bëni shkelje të rregullores”, tha zoti Hoxhaj.

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca tha se me këtë shtyrje koalicioni fitues po synon bllokimin e konstituimit të parlamentit.

Ndërsa, Avdullah Hoti nga koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës akuzoi “presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për përfshirje në shtyrjen e seancës konstituive të parlamentit”, ndërsa nënvizoi se Kosova nuk ka kohë që të presë më sepse edhe ashtu ndodhet në afatet e fundit kushtetuese”.

Kryesuesi i parlamentit e shpalli të mbyllur mbledhjen e sotme dhe tash është e paqartë se kur mund të mblidhet sërish parlamenti.

Seanca konstituive shihej edhe si vendimtare për koalicionin fitues të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, nëse do të mund të sigurojë votat e mjaftueshme për krijimin e qeverisë së re, një proces sfidues meqë asnjë forcë politike nuk i ka votat e mjaftueshme që ta krijojë e vetme qeverinë.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve, koalicioni fitues ka 39 vende në parlament dhe bashkë me deputetët e pakicave kombëtare arrin në 59 vota, dy më pak se sa votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe për krijimin e qeverisë.

Votimi i propozimit për një pushim dy orësh shfaqi ndarjen e thellë të votave në parlament.

Të ngjashme