Buxhovi bën fajtorë UNMIK-un e EULEX-un për moszbardhjen e vrasjeve politike

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 21:07 | Nga Ekonomia Online

Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, në emisionin Desku në KTV ka thënë se fajin për moszbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës në Kosovës e mban UNMIK-u dhe EULEX-i.

“Mund të thuhet edhe më drejtpërdrejtë, janë partitë politike që kanë hyrë në procesin që është quajtur veçmas me Rezulotën 1244 të krijimit të rrethanave për një shtet demokratik qysh kanë qenë edhe zgjedhjet e para vendore lokale. Aty janë përgatitë që ta marrin pushtetin dhe ta kthejnë shtetin në një feud të vetin”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij faktori ndërkombëtar ka luajtur me dy karta.

“Demokracinë e ka pasur si një detyrë, në realitet ka përkrahur forcat që nuk do t’i bëjnë telashe. Me demilitarizimin që është bërë në dy muaj dhe UÇK-në u transformuar. Ishte paraparë që të përfundojë dy qeveritë e përkohshme, atë të Bukoshit dhe Thaçit, që ishte shpallur në mënyrë të njëanshme në Tiranë. Dhe në bazë të dokumenteve që kemi Qeveria e Thaçit ka vazhduar të funksionojë, është toleruar dhe janë toleruar edhe veprimtaritë e strukturave paramilitare të SHIK-ut. Dhe në të njëjtën kohë ato struktura mbajnë përgjegjësinë, së paku prej shumë vlerësimeve të UNMIK-ut dhe hetuesisë një pjesë e tyre kanë marrë pjesë edhe në vrasjet politike. Nuk po e akuzoj SHIK-un, sepse është një problem, por implikimi i grupeve paramilitare të ndryshme që lidhen me politikën shqiptare janë përgjegjës për ato. Këtë nuk e them kështu, por në bazë të materialeve dhe raporteve që ka edhe NATO, raport që ka edhe BND-ja, shikoni më 2004 janë botuar. Edhe të UNMIK-ut dhe të EULEX-it”, ka thënë ai.

Buxhovi ka shtuar se UNMIK-u i ka bërë edhe dy – tri procese, kuazi procese por kurrë nuk ka mundur që t’u japë përgjigje të caktuar sepse edhe përbrenda UNMIK-ut kemi dokumente dhe libra.

Sipas tij një pjesë e atyre që kanë bërë vrasje politike në Kosovë në njëfarë mënyre kanë qenë të përfshirë edhe me shërbime perëndimore dhe kanë mbërri të dalin.

“Bile ne i kemi edhe ato se prej Bondsteelit kanë dalë të burgosur, kanë shkuar, janë cilësuar si agjentë të shërbimeve të ndryshme dhe kjo tregon se nuk janë zbardhur ato vrasje. Problemi më i madh është këtu, pse jam kritikë ndaj faktorit ndërkombëtar. Nuk dua të prejudikoj se kush është vrasës me emër e mbiemër por janë shumë indikacione që flasin se janë të implikuar njerëz të drejtpërdrejtë të strukturave paramilitare që kanë ekzistuar në Kosovë. I ka toleruar edhe UNMIK-u”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij këtyre vrasjeve nuk u është dhënë drejtësi sepse ndërkombëtarët kanë dashur të mbajnë nën shantazh këto figura politike.

“Përgjigja nuk është dhënë sepse kam bindjen që as UNMIK-u e as EULEX-i nuk kanë dashur të japin përgjigje sepse kanë dashur të mbajnë disa segmente të klasës politike të shantazhuar. Në mënyrë që me ta të bëjnë edhe pazare të ndryshme të cilat edhe i kemi parë kohëve të fundit”, ka thënë ai.

Sipas Buxhovit as dëshmitarët nuk janë mbrojtur.

“Për mua është e pakuptueshme se si një UNMIK që ka poseduar hetuesit më të rëndësishëm. Vet disa prej tyre kanë dekonspiruar dëshmitarët e mbrojtur, sipas UNMIK-ut 22 dëshmitarë nën mbrojtje janë vrarë për krimet politike të pasluftës në Kosovë. Dëshmitari i fundit është vrarë në vitin 2015-16 në Gjermani, Zogaj si i mbrojtur. Mendoj se ka qenë vrasje, sepse me të është dashur të mbyllej një kapitull i disa kampeve atje në Drenicë. UNMIK-u e EULEX-i nuk kanë ndihmuar që të zbardhen këto vrasje. Janë vrarë edhe 102 ushtarë të UQK-së në ndërkohë”, ka thënë ai. “Këto janë vrasje të dyshimta pasi nuk janë sqaruar në aspektin e drejtësisë. Aty ka gjithfarë çërime hesapesh. Fajet në këtë drejtim mendoj se e ka UNMIK-u dhe EULEX-i”.

Buxhovi shton se ata janë ardhë që këtu ta instalojnë sistemin juridik dhe ligjor dhe nuk e kanë bërë.

“3-4 prokurorë kanë dhënë dorëheqje dhe akuzojnë UNMIK-un për korrupsion. Lë me dyshuar se një pjesë e vet atyre hetuesve ndërkombëtarë të UNMIK-ut dhe EULEX-it kanë qenë të lidhur me krimin e organizuar në Kosovë. Dhe këto na sjellin ne rrethin vicioz se sot nuk i kemi përgjigje”, ka thënë ai.

Të ngjashme