Caleb McCarry, zyrtari i lartë i DFC-së, viziton Kosovën

Prishtinë | 25 Sht 2020 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Caleb McCarry, këshilltar i Adam Boehlerit, kryeshefit ekzekutiv të Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), vizitoi Kosovën më 24 dhe 25 shtator. Gjatë kësaj vizite ai u takua me zyrtarë të lartë qeveritarë dhe udhëheqës biznesi për të hulumtuar mënyrat si të mobilizohen investimet në sektorin privat për avancimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetit.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Z. McCarry u takua me kryeministrin Avdullah Hoti, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë dhe afaristë vendorë për të vazhduar diskutimet për mbështetjen e rritjes ekonomike, zhvillimit dhe stabilitetit përmes investimeve në sektorin privat në Kosovë.

“Marrëveshja historike për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e fillimit të këtij muaji shtron rrugën për rritjen e investimeve për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal“, tha McCarry. „Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar është e përkushtuar për të ofruar mjete financiare për të ndihmuar mobilizimin e investimeve në lidhjet rrugore, hekurudhore dhe projektet e tjera që krijojnë vende pune, përmes të cilave përfiton populli i Kosovës”.

Vizita e Z. McCarry e pason vizitën e zyrtarëve të ndëragjencive të 21 shtatorit të prirë nga Kryeshefi ekzekutiv, Boehler. Gjatë asaj vizite, Z. Boehler nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Kryeministrin Hoti, e cila bëhet në vazhdën e investimeve tashmë të kanalizuara në Kosovë për të forcuar, ndër të tjera, investimet në infrastrukturën ajrore, hekurudhore dhe rrugore; industrinë energjetike; të teknologjisë dhe atë të turizmit. Ky është një hap drejt prosperitetit më të madh rajonal dhe ndërtohet mbi marrëveshjet e sapoarritura për normalizim ekonomik, të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë, që ishte e arritur e madhe që do të shtrojë rrugën për zhvillim ekonomik në Kosovë dhe rajon.

Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) është banka për zhvillim e Amerikës dhe është agjenci e re me fonde prej 60 miliardë dollarë që mbështet zhvillimet në tregjet në zhvillim përmes investimeve në sektorin privat dhe po punon për të nxitur investime më të mëdha në Kosovë.

Të ngjashme