Certifikohen rezultatet, VV-ja merr 50.28%, PDK-ja 17%, kurse LDK-ja ka siguruar 12.73% të votave

Prishtinë | 13 Mar 2021 | 10:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), mëngjesin e së shtunës ka bërë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Nga certifikimi i këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 50,28 për qind apo 438 mijë e 335 vota, PDK-ja 148 285 vota apo 17%, LDK-ja ka 110 985 apo 12,73%.

Vetëvendosje siguroi 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja siguroi 19 ulëse, LDK-ja siguroi 15 ulëse, AAK-ja siguroi 8 ulëse, ndërsa Lista Serbe 10 ulëse.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, fillimisht ka thënë se edhe përkundër sfidave kanë arritur që të përmbushin obligimet kushtetuese dhe ligjore në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të kësaj legjislature që të punojnë për reformën zgjedhore, madje ajo ka ofruar ndihmë e institucionit që e drejton në këtë proces.

“…edhe pse puna është shoqëruar me sfida, kemi arritur të përmbushim obligimet ligjore. Reforma zgjedhore të mos mbetet në udhëkryq, jemi të gatshëm për kontribut”.

Certifikimi i rezultatit vjen pasi Gjykata Supreme ka mbyllur çështjen e ankesave, ku ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë.

Daka dha edhe statistika për pjesëmarrjen e qytetareve në votime. Ajo konfirmoi se në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë votuar gjithsej 877 mijë e 503 qytetarë.

“Numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1.851.927, prej tyre 814.122 kanë votuar në secilin vendvotim. 89.257 kanë votuar jashtë vendvotimeve, pra pjesëmarrja në votime ka qenë 48.78%”.

“Numri i votuesve që kanë votuar ka qenë 877.503. Numri i votave të pavlefshme është 21.532, ndërsa të zbrazëta kanë qenë 5.511”.

Të ngjashme