Daçiq: Mosformimi i Asociacionit nga Prishtina kthen negociatat në pikën zero

Prishtinë | 08 Mar 2018 | 13:23 | Nga

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të mos zbatojë Marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në fakt është vendim i Prishtinës për braktisjen e dialogut të Brukselit, citojnë mediat serbe deklaratën e shefit të diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiqit, transmeton Koha.net.

Kryediplomati serb thotë se i gjithë procesi negociator midis Beogradit e Prishtinës tash mund të kthehet në pikën zero.

“Nëse pjesën thelbësore të marrëveshjeve që i kemi arritur, liderët shqiptarë refuzojnë ta zbatojnë pa asnjë skrupull dhe pa kurrfarë sanksionesh, Beogradi tani mund të shqyrtojë shfuqizimin e marrëveshjeve të deritashme që i kemi arritur në Bruksel”, i ka thënë Daçiq Sputnjik-ut, transmeton Koha.net.

Siç citohet, Daçiq do t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare për dështim të procesit negociator me fajin e Prishtinës.

“U bëj thirrje Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që me urgjencë të ndikojnë te Prishtina që të përmbushë detyrimet e veta të marra me Marrëveshjen e Brukselit. Meqë ka rrezik të madh që tash procesi negociator përfundimisht të ndërpritet. Beogradi për këtë nuk do të merrte kurrfarë përgjegjësie”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim, sipas të cilit “asnjë zyrtar i Kosovës nuk ka mandat të marrë vendime jashtë dispozitave kushtetuese”, rikujton B92.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme