Dekreti i Presidentit, Kushtetuesja mund të vendosë para 29 majit

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Edhe 18 ditë i kanë mbetur Gjykatës Kushtetuese për të nxjerrë aktgjykimin për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër.

Gjykata Kushtetuese me 1 maj nxori masën e parakohshme, ku pezulloi dekretin e presidentit pas ankesës së parashtruar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky hap i institucionit më të lartë juridik në vend për njohësit e çështjeve kushtetuese ishte cilësuar si i drejtë sepse masa e parakohshme ka evituar krizën politike, raporton IndeksOnline.

Ndonëse 29 maji është caktuar si dita e fundit kur kushtetuesja duhet të nxjerr aktgjykimin, vendimi mund të vije edhe më herët.

Rikujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Presidenti, të premten kanë dorëzuar komentet e tyre përkitazi me lëndën.

Nuk dihet se cili do të jetë epilogu i aktgjykimit, por nëse nuk gjenden shkelje kushtetuese në dekret, atëherë Qeveria “Hoti” mund të votohet brenda këtij muaji.

LDK-AAK-NISMA dhe minoritetet kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni ndërsa gjatë kësaj periudhe këto parti kanë harmonizuar programin qeverisës.

Të ngjashme