Dialogu me marrëveshje të neglizhuara

Prishtinë | 07 Mar 2021 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Tre vjet më parë, përfaqësuesit e kompanisë Stone Castle nga Rahoveci i Kosovës – e cila merret me përpunimin e rrushit dhe prodhimin e pijeve alkoolike – ishin nisur drejt kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, për të marrë pjesë në një panair.

Gjatë rrugës ata ishin njoftuar nga organizuesit se emri i Kosovës nuk guxon të figurojë askund dhe as në produktet e ekspozuara në panair. Kompania Stone Castle kishte parapaguar pjesëmarrjen.

Teuta Kurshumlija, menaxhere e shitjes në ‘Stone Castle’, thotë se paratë e parapaguara për pjesëmarrje në këtë panair, nuk u janë kthyer nga organizatorët e panairit që ishin nga Serbia dhe Greqia, ndërkaq që dokumentet e Kosovës për produktet e kompanisë së saj, ishin problem shtesë.

“Një mal me probleme të tjera na i kanë krijuar edhe me dërgesën e pijeve në të njëjtin panair, me justifikime të ndryshme për probleme në dokumentacion, që në fakt nuk ishin reale. Një rast tjetër konkret, kishim punë për shkak të disa problemeve juridike me një ish-blerës që kemi pasur në Serbi. Sa herë që u jemi qasur avokatëve apo noterëve në shtetin e Serbisë, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar ndonjë dokument, në të cilin figuronte shkrimi apo logoja e Republikës së Kosovës”, theksoi Kurshumlia.

Fakti tjetër bezdisës, sipas saj, për të gjitha kompanitë e Kosovës që eksportojnë produkte në Serbi, është pritja e gjatë që imponojnë autoritetet serbe për ndërrimin e targave të automjeteve, për të qarkulluar brenda territorit të shtetit të Serbisë.

Të gjitha këto probleme, por edhe të tjera, janë rezultat i moszbatimit ose zbatimit të pjesshëm të marrëveshjeve të arritura gjatë procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i cili më 8 mars shënon 10 vjet që nga fillimi i tij, vlerëson Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Siç thekson ajo për Radion Evropa e Lirë, procesi i dialogut Kosovë-Serbi kishte nisur me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike, për të kaluar më pas në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Siç thotë Krasniqi, gjatë 10 vjetëve të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, besohet që janë arritur 31 marrëveshje, për të cilin numër, sipas saj, ka mjaft kontestime, për shkak se disa prej marrëveshjeve janë negociuar sërish dhe ka pasur dokumente shtesë mbi ato marrëveshje

Në përgjithësi, shtoi ajo, procesin e bisedimeve në Bruksel e ka mbizotëruar mungesa e transparencës dhe një pjesë e dokumenteve që kanë të bëjnë me marrëveshjet ende nuk janë publike.

“Shohim që vetëm një numër i vogël i tyre ( marrëveshjeve) kanë arritur zbatim të plotë dhe në përgjithësi ato nuk janë zbatuar plotësisht. Një pjesë e tyre kanë filluar të zbatohen, kanë ngecur, një pjesë e tyre nuk janë zbatuar ende. Pra, duket që nuk ka një zbatim të mirëfilltë të këtyre marrëveshjeve, duke e ditur në të njëjtën kohë që edhe vetë Bashkimi Evropian, nuk është se ka krijuar mekanizma zbatues për këto marrëveshje. Duke qenë që edhe marrëveshjet e kanë atë natyrën e dykuptimësisë, interpretimet e ndryshme nga Kosova dhe nga Serbia, kanë bërë që të ketë mungesë të zbatimit, duke e ditur, normalisht, që ka pasur edhe mungesë të vullnetit politik ”, theksoi Krasniqi. (Teksti i plotë në REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme