Dialogu me Serbinë – Shasha: Sa më shpejtë që përfundon, aq më mirë për Kosovën

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 08:17 | Nga Erdonit Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Çështja e dialogut me Serbinë duhet të jetë prioriteti i parë i Qeverisë Kurti, tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Institutit “EPIK”, Demush Shasha.

Shasha thotë që dialogu patjetër që është një ndër prioritetet e ndërkombëtarëve dhe se nga kjo duhet kuptuar që sa më parë që mbyllen të gjitha çështjet me Serbinë aq më mirë është për vendin.

“Po konsideroj se neve vet duhet të kuptojmë që dialogu është dhe duhet të jetë prioritet pra sa ma parë, që ne mbyllim të gjitha çështjet për Serbinë aq më mirë për neve. Në të gjitha letrat urimi nga gjithë liderët botërorë është përmendur specifikisht çështja e dialogut Kosovë-Serbi, prandaj patjetër që mund të konfirmojmë se është prioritet edhe i ndërkombëtarëve”, tha Shasha.

Ai konsideron që Kosova duhet të ketë një strategji dhe platformë të veten e cila mund të tregojë synimet dhe vijat e kuqe tona, por edhe që shpjegon qartë pozicionin e Kosovës në kuadër të dialogut.

“Institucionet  e vendit duhet të kenë një strategji, një platformë e cila tregon synimet tona, vijat e kuqe dhe tregon se si do organizohet procesi negociator, pra duhet të jetë një dokument i cili shpjegon pozicionin tonë në kuadër të dialogut. Në anën tjetër po ashtu duhet njohur një realitet, qoftë nëse kthehemi në Rambuje, e pastaj në Vjenë apo 10 vite dialog në Bruksel, ti e kupton që asnjë nga këto momente Kosova nuk ka pasur një platformë apo strategji, sepse pozicioni i Kosovës ka qenë identik me pozicionin e partnerëve ndërkombëtar, prandaj mendoj që qëndrimi duhet të jetë i njëjtë sikur me atë të ndërkombëtarëve, dhe ai është zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë, njohja e realitetit nga ana e Serbisë, dhe përfundimisht integrimi i të dy vendeve në NATO, dhe njohja e Kosovës nga Serbia”, theksoi ai.

Respektimi i marrëveshjeve që janë negociuar deri më tani nuk mund të rishikohen më thotë ai, pasi ato duhet vetëm të zbatohen dhe si të tilla ato duhet të gjejnë zbatueshmëri të plotë.

“Nuk mendoj që është e mundur të gjitha marrëveshjet që janë dakorduar duhet zbatohen, nuk mund të rishikohen, mund të ketë diskutim për metodën e saktë për mënyrën e zbatimit të tyre, por të gjitha marrëveshjet që janë negociuar deri më sot në Bruksel duhet të zbatohen sepse janë marrëveshje që kanë status të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe si të tilla ato patjetër që kanë vetëm një rrugë dhe ajo është rrugë përpara dhe zbatimi i tyre i plotë”, përfundoi ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme