Edhe këtë vit Qeveria mbulon policën kufitare për diasporën

Prishtinë | 04 Kor 2022 | 13:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Kosovës, ka njoftuar se edhe këtë vit qeveria do ta mbulojë koston e policës kufitare për atdhetarë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Kurti i tregoi edhe procedurat se si duhet të blihet polica.

Por për dallim prej herëve të kaluara, kësaj radhe do të ketë formë tjetër për bashkatdhetarët.

Polica kufitare mund të blihet edhe online, kjo sipas Kurtit për të “lehtësuar procedurën”.

“Shumë bashkatdhetarë tanë tashmë kanë ardhur e shumë prej tyre edhe e kanë filluar rrugëtimin e tyre për atdhe. Ne u urojmë mirëseardhje të përzemërt. Dëshirojmë që udhëtimet e tyre të jenë sa më të lehta e të sigurta. E për të lehtësuar këtë, edhe sivjet, Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët tanë. Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk merr shumë kohë. Polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, për të evituar pritjet në kufi ajo mund të blihet edhe online para se të niseni”, u shpreh Kurti.

Tutje, Kurti theksoi se mërgata është pjesa integrale për zhvillimin e Kosovës, si dhe tregoi për planet e Qeverisë ndaj tyre.

“E theksoj përsëri, që ju, mërgata jonë jeni pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke punuar në strategji dhe në ligjin për diasporë. Gjatë gjithë vitit kabineti Qeveritar ka zhvilluar “Dialogun me Mërgatën” dhe një proces i tillë do të vazhdojë deri në fund të vitit”.

“Janë duke u pilotuar për herë të parë programet për angazhimin e potencialit ekonomik, shkencor e profesional të mërgatës në kuadër të MPJD-së. Po punohet për herë të parë për të jetësuar koncept-dokumentin për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe certifikimin e gjuhës”.

“Është duke u punuar për ndërlidhjen e politikave për mërgatën me nivelin lokal. Për këtë është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit me Asociacionin e Komunave për Diasporë”.

“Jemi duke pilotuar alternativa kulturore për komunitetin shqiptar dhe jo-shqiptarë jashtë vendit, në mënyrë që të kemi një ndërlidhje me komunitetin edhe përmes artit dhe kulturës”.

Të ngjashme