Edhe Sallahu thotë se është i pavërtetë lajmi se Danimarka pezulloi marrëveshjen për burgjet

Prishtinë | 19 Sht 2022 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka cilësuar si të pavërtetë lajmin se Danimarka e ka pezulluar marrëveshjen e arritur me Kosovën për burgjet.

“Duam të njoftojmë opinionin dhe publikun e gjerë se lajmet e shpërndara se gjoja Mbretëria e Danimarkës është tërhequr nga Traktati ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, nuk qëndron dhe nuk është i vërtetë”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

Ai tha se gjatë ditës kanë komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët nga Ministria e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës dhe, sipas tij, ata i kanë konfirmuar se qëndrojnë tërësisht pranë zotimeve të akorduara në traktat dhe asgjë nuk ka ndryshuar në raport me marrëveshjen e përbashkët.

“Është e rëndësishme të theksohet se tashmë shteti danez e ka ratifikuar traktatin edhe në parlamentin e tyre dhe gjithçka po vazhdon sipas planit të paracaktuar drejt përmbushjes së obligimeve të dyanshme mes nesh”, ka shtuar ai.

Sallahu tha se së shpejti edhe Kosova do ta procedojë këtë traktat dhe do të përcillet pastaj në kuvend për ratifikim.

Ai tha se këto informacione kanë për bazë kontaktet e sotme me Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës.

Të ngjashme