Eliza Hoxha: Besnik Bislimi ka votuar në qeveri për emërimin e nipit të tij në KShC

Prishtinë | 04 Qer 2021 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha e ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për punësime partiake.

Ajo në emisionin “Frontal” në T7, ka thënë se PDK-ja është duke shpalosur vetëm faktet që i kanë gjetur gjatë procesit.

“Unë s’do ta quaja akuzë, por janë shpalosje e fakteve që i kemi gjetur në proces. Këto nuk janë punësime por emërime politike, siç edhe po i quajnë këta. Gjuha e tyre sa ishin në opozitë ka qenë që çdo person që është emëruar dhe që ka pasur bagazh profesional, është diskredituar nga ta”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, VV-ja vazhdimisht sa ishte në opozitë e ka akuzuar pushtetin për emërime politike. E këtë rrugë të tyre, Hoxha tha se tani po e vazhdon edhe opozita e tanishme.

“Edhe ne do t’i shikojmë këto siç i kanë shikuar dhe ne po e bëjmë vetëm opozitën. Me udhëzimin administrativ që përcakton se si përzgjidhen anëtarët e KShC-së, e ku kriteret janë shumë të qarta, e pastaj edhe Komisioni që e ka përcaktuar ministrja Nagavci, pjesë e së cilës është edhe Rron Gjinovci e kanë pasur për detyrë që të shqyrtojnë aplikacionet dhe të rekomandojnë se cilët janë të nominuarit e duhur”, ka thënë Hoxha.

Më tutje, deputetja e PDK-së ka folur edhe për kushtet e emërimit të anëtarëve të KLëshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Kushti i dytë ka qenë që të ketë gradën e doktorit, të ketë njohjen e diplomës nga MASh-i, të jetë shtetas i Kosovës, të ketë përvojë të paktën 10 vjet e të tjera. Janë kushtet të cilat janë vendosur për ata që nuk mund të zgjidhen anëtarë, e ku theksohet edhe konflikti i interesit. E kemi parë që është djali i zëvendëskryeministrit”, ka thënë ajo.

E për emërimin e nipit të tij Gëzim Tosuni, në Bordin e KShC-së, Hoxha tha se ka votuar edhe vet zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Kjo listë e rekomandimeve që ka ardhur nga ministrja ka ardhur në qeveri dhe është votuar edhe nga vet zëvendëskryeministri. Edhe ai e ka ngrit dorën me votu. S’ka lidhje nëse e ka parë apo jo, sepse edhe mua mund të më dalin 50 kushërinj që ndoshta as si kam parë”, deklaroi deputetja e PDK-së.

Më tutje ajo foli edhe për emërimin e Sef Bytyqit, që sipas saj nuk kishte marrë rekomandim nga Komisioni.

“Nëse flasim për profesorin Sef Bytyqi, në listën e rekomandimeve që i Komisioni i ka shqyrtuar aplikacionet, nëntë prej tyre kanë qenë të nënvizuar. Ministrja më pas ka pasur që të zgjedh katër prej tyre. Sef Bytyqi nuk është në listën e rekomandimeve parësore. Nëse ka një shpjegim nga zonja Nagavci se pse i ka zgjedhur tre të rekomanduar nga Komisioni dhe një që nuk është rekomanduar, atëherë të jap përgjigje”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme