Gërvalla po e përdor raportin e zyrtarit të pa sistemuar në MPJD për shkarkime të diplomatëve

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Kryediplomatja Donika Gërvalla dje mori vendim për shkarkimin e 11 diplomatëve të shërbimit të jashtëm, të cilët ishin pjesë e një grupi më të madh që ishin punësuar me një konkurs të vitit 2011. E gjithë nisma e ministres së Punëve të Jashtme, e cila po bëhet nën arsyetimin për vendosjen e ligjit në këtë institucion është duke u bërë në mënyrë të paligjshme.

Gërvalla që nga ardhja e saj në krye të MPJD-së ka nisur spastrimin politik të ambasadave, duke i larguar njerëzit që janë punësuar nga qeveritë e kaluara, shkruan Demokracia.com.

Pas shkarkimit të ambasadorëve, ajo të mërkurën ka shkarkuar edhe 11 zyrtarë të shërbimit të jashtëm që ishin punësuar me një konkurs të vitit 2011.

Demokracia.com ka raportuar se të mërkurën janë shkarkuar Lulzim Rifaj, Blerim Canaj, Adnan Dragaj, Flurim Gashi, Enver Buqaj, Shota Bukoshi, Bahrije Hoti, Mithat Fejza, Petrit Hajdari, Adnan Jakupi dhe Rrahim Morina.

Krejt këto shkarkime po bëhen në bazë të një raporti të auditimit të brendshëm për “Menaxhimin e Burimeve Njerëzore”, që ishte bërë me kërkesë të ministres Donika Gërvalla-Schwarz më 31 gusht të vitit të kaluar.

Ndonëse kjo ministri po pretendon se shkarkimet po bëhen në “vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën”, vetë raporti po interpretohet se është bërë në mënyrë të paligjshme.

Ky auditim është bërë nga Hamdi Bërbatovci, i cili ishte zyrtar i Ministrisë së Diasporës para shkrirjes së kësaj ministrie në MPJD dhe ende nuk është i sistemuar mirë në ministrinë e Gërvallës, shkruan Demokracia.com.

Bërbatovcit i është lejuar nga Gërvalla që t’i fusë duart edhe në dosjet personale të 38 zyrtarëve të ministrisë që po e presin shkarkimin, shkruan Demokracia.com.

Për lejimin e kryerjes së këtij auditimi nga një person që as vetë nuk është ende i sistemuar është shqetësuar edhe Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës. Ata kanë kërkuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës që të bëjë monitorimin e emërimeve të paligjshme në pozitat udhëheqëse në MPJD.

Demokracia.com ka siguruar edhe kërkesën e kësaj sindikate drejtuar KMSHCK-së, ku ata kërkojnë që të mbrohet ligjshmëria e institucionit, duke parandaluar lëvizjet e nëpunësve civil pa asnjë procedurë dhe kriter.

“Menaxhmenti i lartë në vitin 2021, ende pa miratuar rregullore të veçantë për rikonstrukturimin e ish Ministrisë së Diasporës në MPJ, ka filluar sistemimin e zyrtarëve të ish-diasporës në MPJ, pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë kriter në pozitat si: Drejtor i përgjithshëm të Akademisë Diplomatike, zv. i Sekretarit të Përgjithshëm; udhëheqës të Burimeve Njerëzore; zyrtar i lartë për trajnim dhe zhvillim; udhëheqës të Divizionit për Buxhet dhe Financa; lejimi i qasjes së auditimit në Divizionin e Burimeve Njerëzore të MPJ-së nga udhëheqësi i auditimit të ish-diasporës pa u bë sistemimi, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në kërkesën e kësaj sindikate të siguruar nga Demokracia.com.

Sindikata e sheh shumë shqetësuese të bëhet auditimi për diplomatët e Kosovës nga persona ende të pa sistemuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Në bazë të paragrafit 1,2,3,4,5,6 të nenit 54 të Ligjit për Zyrtarët Publik ceket se ristrukturimi bëhet kur krijohet një komision për ristrukturimin e zyrtarëve në pozita të lira dhe i veçantë. Qeveria me propozimin e ministrisë përgjegjëse për administratë publike, me akt nënligjor miraton procedurat e hollësishme për risistemimin e nëpunësve civil për shkak të shuarjes apo ristruktiruimin, si dhe përbërjes së hollësishme të komisionit. Andaj, kërkojmë nga KPMK të bëjë monitorimin e të gjitha këto emërime të cilat u janë dhënë ish-zyrtarëve të ish Ministrisë së Diasporës edhe pse sindikatat vazhdimisht ka reaguar tek menaxhmenti i lartë”, thuhet në kërkesën e tyre.

Neni 54 i Ligjit për Shërbyesit Civil thotë se në çdo rast shuarje apo ristrukturimi të institucionit krijohet një komision ristrukturimi, i cili shqyrton mundësitë e sistemimit të çdo nëpunësi civil në vendet e lira ekzistuese dhe propozon transferimin e nëpunësit në një pozitë të lirë, në të cilën ai i plotëson kërkesat e veçanta. Vendimi përfundimtar i transferimit merret nga njësia e pranimit, në bazë të propozimit të komisionit.

Nga kjo del se një person, i cili nuk është ende i sistemuar mirë në MPJD, po jep rekomandime sesi të shkarkohen dhe zëvendësohen diplomatët që i kanë shërbyer vendit me vite të tëra dhe kanë qenë pjesë e deritashme e të gjithë procesit të njohjeve të shtetit.

Demokracia.com e ka siguruar të plotë raportin e auditimit të kryer nga Bërbatovci me kërkesë të Gërvallës.

“Të rishikohen vendimet për caktimin e zëvendësuesve, përveç pozitave, për plotësimin e të cilave tashmë janë iniciuar procedurat. Së pari, të shqyrtohet mundësia që plotësimi i pozitave të lira të bëhet nga nëpunës me akt emërime përkatëse, si rezultat i bashkimit të dy ministrive, ose me nëpunës të kthyer nga shërbimi/misioni sipas ekuivalencës së kategorisë, në mënyrë që të evitohet duplifikimi i pozitave dhe shpenzimet e paarsyeshme. Në rastet kur një pozitë mbetet e lirë, të sigurohet që janë respektuar procedurat sipas kërkesave ligjore për plotësimin e saj”, thuhet në rekomandimin e tretë të Bërbatovcit, raporton Demokracia.com.

Ky raport i auditimit thuhet se ofron një pasqyrë për menaxhmentin lidhur me funksionimin e sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore në MPJD sa i përket sistemimit të dosjeve, sistemimit të stafit pas kthimit nga misioni, transferet, zëvendësimet, pushimet pa pagesë dhe planet trajnuese ekzistuese.

Në raport thuhet se nëpërmjet këtij auditimi është vlerësuar nëse proceset përkatëse funksionojnë si duhet dhe nëse ekzistojnë mundësitë për përmirësimin e tij.

“Auditimi është bazuar me kërkesën e ministres znj. Gërvalla-Schwarz, të datës 31.08. 2021 si dhe takimit të datës 6.9.2021 ndërmjet kolegëve të NJAB për ndarjen e auditimeve të caktuara nga Ministrja. Objektivat e auditimit kanë të bëjnë me sistemimin e dosjeve, transferet, zëvendësimet, sistemimi i stafit, pushimet pa pagesë dhe planet trajnuese ekzistuese”, thuhet në raportin e siguruar nga Demokracia.com.

Objektivat e auditimit kanë pasur të bëjnë me sistemimin e dosjeve, transferet, zëvendësimet, sistemimin e stafit, pushimet pa pagesë dhe planet trajnuese ekzistuese.

“Kemi ekzaminuar, verifikuar dhe kemi testuar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me menaxhimin e procedurave, ekzaminimet tona janë mbështetur në intervista, vëzhgime, verifikime, krahasime dhe analiza të dokumentacionit. Ekzaminimet e kryera nga auditimi kanë nxjerrë në pah disa mangësi të funksionimit të këtyre proceseve, të cilat duhet të adresohen në periudhat vijuese, në mënyrë që të forcohet sistemi i kontrollit. Po ashtu përmes këtij auditimi janë realizuar arsyet e mangësive të identifikuara dhe ka dhënë rekomandime për zhvillimin e sistemit ose lehtësimin e një implementimi më të mirë të sistemit aktual në nivele të ndryshme”, thuhet në këtë dokument, raporton Demokracia.com.

Në raport thuhet se pjesë e procedurave të auditimit ishin dosjet e 38 të punësuarve, të cilët janë në shënjestër të ministres Donika Gërvalla-Schwarz për të larguar tërësisht nga ky institucion.

Demokracia.com i posedon emrat e të gjithë zyrtarëve të MPJD-së që pritet të largohen nga Gërvalla, por përderisa ende nuk janë nënshkruar të gjitha vendimet ka vendosur të mos i publikojë.

Këto janë disa prej rekomandimeve që Gërvalla i ka marrë nga ky raport.

-Të bëhet një rishikim gjithëpërfshirës i dosjeve të nëpunësve, për tu regjistruar se dosjet janë të klasifikuara dhe përmbajnë të dhënat e kërkuara për të gjithë të punësuarit e MPJD-së në pajtim me kërkesat e përcaktuara ligjore. Po ashtu, dosjet të përditësohen sa herë që ka ndryshime eventuale, si në formë fizike, ashtu edhe në atë elektronike.

– Të nxirren rregulla të veçanta që e rregullojnë procesin e sistemimit/transferimit të nëpunësve civil pas kthimit nga shërbimi në ministri, në pajtim me kërkesat dhe parimet e përcaktuara me Ligjin për Zyrtarët Publik, për nëpunësit me status të veçantë. Derisa të nxirren këto rregulla, të zbatohen dispozitat e Ligjit për Zyrtarë Publik.

– Gjithashtu, të bëhet një vlerësim i gjendjes për pozitat e lira dhe të atyre të sistemuar për tu siguruar se të gjitha vendimet janë në përputhje me kategorinë e nëpunësit sipas akt emërimit para shkuarjes në shërbim/mision.

-Gjatë sistemimit të stafit, të merret për bazë parimi ‘I pari nga koha, i pari për nga e drejta”, varësisht nga kërkesat dhe kualifikimet e nëpunësve për pozitat.

-Gjatë transferimit të nëpunësve civil, të sigurohet se ato bëhen në kategorinë e njëjtë dhe në afatin e përcaktuar sipas dispozitave ligjore.

KËTU mund të lexoni raportin e plotë Raporti Final i Auditimit – Menaxhimi i Burimeve Njerëzore

Të ngjashme