Hamza merr detyrën në MF, duhet të jemi të kujdesshëm me borxhin publik

Prishtinë | 11 Sht 2017 | 14:27 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bedri Hamza me të pranuar detyrën e ministrit të Financave ka paralajmëruar se do të punojë për ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal, mbajtjen e deficitin buxhetor brenda parametrave të pranueshëm, si dhe kujdes me borxhin publik.

Ish-guverantori Hamza e mori zyrtarisht sot detyrën nga Agim Krasniqi, që e drejtori këtë ministri për pak kohë, pasi Avdullah Hoti u bë deputet.

Hamza, i cili edhe më herët e ka drejtuar MF-në, e ka vlerësuar punë e paraardhësve të tij.

“Për mua është kënaqësi, nder por edhe përgjegjësi e madhe që të pranoj detyrën e ministrit të Financave. Asnjëherë nuk ka qenë lehtë të jesh ministër i Financave dhe nuk do të jetë as tash.
Në krejt këtë, më bën me u ndie i sigurt fakti se në kuadër të MF-së gjithherë ka pasur njerëz të përgatitur, kompetentë, institucionalistë, të përgjegjshëm dhe të devotshëm në punë”, tha Hamza, raporton Ekonomia Online.

“Z. Ministër, të faleminderit ty për punën dhe kontributin e gjatë. E vlerësoj gjithë kontributin e gjithë ministrave paraprakë, një nga ta kam qenë edhe unë; e di se puna e ministrit të Financave e di se është punë e vështirë dhe me përgjegjësi. Por është nder dhe krenari dhe gjatë punës time do të më përcjell kjo që jam ministër i Financave i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i vendit tonë”, u shpreh ai.

Hamza u zotua se do të bëjë përpjekje, nuk do të kursejë asgjë dhe do ta japë maksimumin që brenda mundësive reale që gjërat të ecin në drejtimin e duhur.

“Besoj në bashkëpunim edhe me ministrat e tjerë kolegë. Jam i sigurt edhe në përkrahjen dhe dinamikën e kryeministrinë dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore e ndërkombëtare, do të arrijmë ta ruajmë stabilitetin makro-fiskal, ta mbajmë deficitin buxhetor brenda parametrave të pranueshëm, ta ruajmë bilancin bankar dhe të jemi të kujdesshëm me borxhin publik”, deklaroi ministri i ri.

Ai ka falënderuar dhe Krasniqin, i cili ka shërbyer edhe më herët në MF, përfshirë detyrën e zv.ministrit. “Ministër, i njoh të gjitha kontributet e tua. Unë besoj se ne do të jemi pjesë e financave publike dhe do ta bëjmë më të mirën që dimë dhe mundemi”.

Nga ana e tij, Agim Krasniqi i ka dëshiruar mirëseardhje Hamzën, sikur u shpreh ai “në shtëpinë e tij”.

“Kam kënaqësinë që po jua dorëzoj sot detyrën. Unë pres, ashtu siç besoj presin dhe të tjerët, se do të keni sukses. Nuk është kohë e lehtë, por besoj që përvoja juaj, profesionalizmi juaj, do të ketë sukses”, tha Krasniqi.

“Është mirë që ky pranim-dorëzim po ndodh në kohën kur bilanci bankar është mbi 467 milionë. Por kjo nuk është ndonjë siguri shumë e madhe, duke i ditur obligimet që i ka Qeveria”.

Edhe Krasniqi tha se në MF ka një staf të mirë dhe të përgatitur dhe, sipas tij, Hamza do ta ketë më lehtë se ministrat e tjerë.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme