Haradinaj bisedon me homologun turk, nuk tregon nëse u përmend çështja e ambasadës në Jerusalem

Prishtinë | 12 Sht 2020 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e saj turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Këtë e bëri të ditur vet Haradinaj-Stublla nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ku mes tjerash tregoi se temë e këtij diskutimi ishin edhe njohjet për shtetin e Kosovës, njofton Klan Kosova

“Theksova se ne si shtet i ri, jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtar”, ka shkruar ajo.

Sidoqoftë, Haradinaj nuk ka treguar nëse homologu turk ia ka përmendur asaj çështjen e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, duke marrë parasysh kundërshtimet e shtetit turk për njohjen e Jerusalemit si territor i Izraelit.

Postimi i plotë i Haradinaj-Stublla:

Zhvillova një bisedë të gjatë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Shpreha mirënjohje ndaj shtetit të Turqisë për përkrahjen në vazhdimësi të Republikës së Kosovës, në rrafshin bilateral dhe atë të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Theksova se ne si shtet i ri, jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtar. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me miqtë tanë me të cilët kemi të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe raporte të pathyeshme. Në po këtë kontekst, rikonfirmova se marrëdhënia e ngushtë bashkëpunuese me Turqinë është e shkëlqyeshme, dhe avancimi i interesave tona të përbashkëta do të bëhet në drejtim të forcimit të ndërsjellë.

Të ngjashme