Haradinaj dhe Tolaj flasin për bartjen e disa pronave te komunat

Prishtinë | 18 Kor 2019 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, me të cilin thotë se kanë bashkëbiseduar për asetet në pronësi shoqërore në tërë territorin e vendit.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se gjatë këtij takimi kanë diskutuar edhe për konceptin e Qeverisë që disa prona t’u barten komunave për të dinamizuar zhvillimin ekonomik lokal dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Kujtojmë se, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e pati dërguar në Gjykatën Kushtetuese kryeministrin Ramush Haradinaj për vendimin e tij për disa prona në veri.

Kryeministri Haradinaj para disa ditëve pati thënë për Koha.net se ende nuk e kishte pranuar zyrtarisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e refuzoi kërkesën e presidentit Thaçi dhe e shpalli të papranueshme. E ndonëse ai vendim është publikuar tashmë, Zyra e Haradinajt nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodhë tutje me këtë vendim.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës i kishte thënë portalit, se deri tash nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar rreth këtij vendimi.

Të ngjashme