Haradinaj në mbyllje të fushatës, po vjen dita e Gjakovës dhe Dukagjinit

Gjakovë | 20 Tet 2017 | 17:19 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbyllur fushatën e saj zgjedhore në Gjakovë. Lideri i partisë dhe kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se dita e Gjakovës dhe Dukagjinit po vjen.

Në palestrën e mbushur plot të sporteve në Gjakovë, Haradinaj ka premtuar se do ta përmbyllin infrastrukturën e Gjakovës me rrugë të reja, ujësjellës, kanalizime, do t’i rregullojnë shtretërit e lumenjve, ndërsa buxheti do të rritet për çdo vit.

E premtim i madh i Haradinajt ishte se do ta ndërtojnë, deri në fund të vitit 2018, rrugën me katër korsi nga Gjakova deri në Klinë.

“Unë jam kryetar i Aleancës dhe jam kryeministër; Pal Lekaj është nënkryetar i Aleancës dhe ministër i Infrastrukturës; Teuta Haxhiaj është anëtare e Kryesisë dhe deputete e Parlamentit të Kosovës; Burbuqe Bakija është zv.ministre dhe të dielën në mbrëmje, Ardian Gjini do të ejtë kryetar i Gjakovës. Nëse edhe ky ekip nuk i del hakut Gjakovës nuk e di kush i del. Kur them se i ka ardhur dita Gjakovës dhe Dukagjinit për këtë po them”, u shpreh Haradinaj,

“Për të shkuar te nëna ime, unë vij rrugës Klinë-Gjakovë, andaj e pres me gëzim Vitin e Ri të ardhshëm, se kam me ardhë nëpër autorrugë. Pali dhe Ardiani nuk e thanë, se patën dëshirë me thënë unë, por ju them se vitin që vjen do të bëhet rruga katër trakëshe prej Klinës në Gjakovë”.

Ai kritikoi qeverisjen e kaluar komunale se për renovimin e një ure në Rakovinë ishin marrë muaj të tërë “herë duke e renovuar e herë duke e prishë”.

“E kjo rrugë për të cilën po flas unë është 100 herë aq dhe bëhet një herë për 50 vjet… Malli i ynë, ekonomia jonë, do të qarkullojë pa problem; njerëzit dhe kushdo ka me ardhë deri në Gjakovë me punu, apo për qejf, si zotëri”, deklaroi Haradinaj.

“Infrastruktura e Gjakovës do të përmbyllet. Buxheti i Gjakovës do të rritet prej vitit në vit dhe do të shkojë edhe te bujqit, se shef i ministrit të Bujqësisë jam unë”.

Ai, gjithashtu, premtoi përkrahje për ndërmarrësit, zejtarët, si dhe buxhet të veçantë për studentët e dalluar të Gjakovës.

Kandidati për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, tha se me ekipin e tij ka përgatitur një program qeverisës si asnjë parti tjetër politike. Ai tha se ka vizion si ta zhvillojë Gjakovën, që gjakovarët të ndihen mirë në qytetin e tyre e të mos iu shkojë mendja “me i kap strajcat dhe me ikë”.

Gjini ka numëruar disa nga projektet që do të zhvillohen gjatë mandatit të tij katërvjeçar, si rregullimi i shtratit dhe infrastrukturës përreth lumit Krena, rregullimi i pendës si Drinit, parqe dhe gjelbërim, asfaltimi i rrugës për Radoniq, si dhe investime në rrugën që çon Te Maja e Kunorës, rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve etj.

Ai tha se për të gjitha këto projekte pret ndihmën e Qeverisë Haradinaj. “Ne të gjithë e duam Gjakovën, e duan njerëzit e Gjakovës, e dimë çka duhet me u bë, por nuk mundemi t’i arrijmë të gjitha synimet tona pa e pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. E këtë mbështetje ne tash e kemi, sepse në krye të qeverisë e kemi njeriun, të cilin ne i kemi besuar”, deklaroi Gjini.

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, aktualisht ministër i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se kryeministri Haradinaj është garantues për projektet madhore për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Gjakovës. Sipas tij, Gjakovës i mungojnë investimet qe 50 vjet.

Në fund u bë dhe prezantimi i 38 kandidatëve për Kuvendin Komunal.

Fotot: Egzon Marku/ Ekonomia Online

Të ngjashme