Haradinaj: Po punojmë për unifikim doganor dhe hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri

Korçë | 27 Nën 2017 | 18:08 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nënshkruan sot në Korçë 12 marrëveshje. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po punohet që të përmbyllet dhe protokolli për hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, raporton Ekonomia Online.

“Faleminderit i nderuar kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ministra të Shqipërisë. Faleminderit për punën e madhe që e keni bërë për përgatitjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Edhe unë, edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, sot jemi të gëzuar që në këtë mbledhje të përbashkët, po flas për simbolikën, e cila po mbahet në Korçë, në qendrën e Rilindjes tonë Kombëtare, Mësonjëtorja e parë Shqipe, dhe po ashtu jemi në vigjilje të 28 Nëntorit, të 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, festës tonë të shumëfishtë shqiptare, dhe në vitin e Skënderbeut”, tha Haradinaj, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

“Jam i gëzuar që ne sot përmbyllëm 12 marrëveshje të ndërsjella Shqipëri-Kosovë. Njëkohësisht jemi në punë për ta përmbyllur edhe një protokoll për kalimin e kufirit, që është një protokoll që lehtëson krejtësisht kalimin e kufirit Kosovë-Shqipëri, dhe po punojmë intensivisht në unifikimin doganor. Jemi në proces, pala e Kosovës ka ngecur, mirëpo jemi në proces dhe do të arrijmë aty”, tha Haradinaj, në konferencë për medie, së bashku me kryeministrin shqiptar Rama.

“Bazuar në këto që thashë, Kosovën e presin shumë sfida, mirëpo janë sfida që burojnë nga vetë specifikat e Kosovës. Ne, rrugëtimin tonë euroatlantik e shohim të lidhur ngushtë me Republikën e Shqipërisë dhe e falënderojmë edhe njëherë kryeministrin Rama dhe gjithë Qeverinë për gatishmërinë për këtë bashkëpunim konkret për marrëveshjet e arritura së bashku”.

Takimi i radhës mbahet në Pejë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se dy qeveritë ritakohen pas afro më shumë se një viti dhe pas tre mbledhjeve me radhë të cilat kanë vënë themelet e qëndrueshme të një partneriteti strategjik, gjithpërfshirës, një kuadër të gjerë bashkëpunimi.

“Më lejoni të them që jam shumë i nderuar që sot ne e kemi mysafir në qytetin e mrekullueshëm të Korçës, të kulturës dhe historisë tonë kombëtare, kryeministrin Haradinaj dhe ministrat e tij. Më vjen mirë që mbledhja që sapo mbyllëm flet vet për një bilanc arritjesh të rëndësishme dhe angazhimesh, bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot”.

“Ne kemi marrë këto angazhime mbi bindjen se ka ende shumë për të bërë, por edhe se mundësitë janë aty dhe praktikisht që nga mbledhja e parë në Prizren, më 2014, e kemi pasuruar këtë kuadër bashkëpunimi me disa pjesë të rëndësishme, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e kuadrit mbetet për t’u plotësuar”, theksoi Rama.

“Më vjen mirë po ashtu, që tërë hapat e ndërmarrë janë hapa të mirëpërcaktuar me një drejtim të përbashkët strategjik. Nuk dua të ndalem një për një në të gjitha marrëveshjet që sapo nënshkruam, por dua të nënvizoj se ne jemi shumë të vendosur për ta fuqizuar më tej veprimin e përbashkët politik dhe diplomatik me një angazhim tërësor, qoftë në marrëdhëniet tona bilaterale si dy shtete shqiptare, qoftë në qasjen tonë rajonale, qoftë në rrugën e përbashkët drejt integrimit të plotë në familjen europiane”.

“Dua të nënvizoj faktin se këtë herë kemi marrë angazhime të rëndësishme edhe sa i përket diasporës shqiptare, e cila bazuar në marrëveshjet e nënshkruara, por edhe në qasjen e re strategjike të ndërtuar bashkërisht do të konsiderohet një, dhe për këtë arsye edhe qendrat e kulturës që ndihmojnë në promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, por edhe programet e mësimit në gjuhën shqipe edhe aktivitetet me përfaqësues të diasporës do t’i bëjmë si një, sepse pavarësisht se ne jemi të darë në dy shtete, bota shqiptare është një dhe e pandashme për të dy qeveritë tona”, përfundoi Rama.

Dy kryeministrat bën të ditur se takimi i radhës i dy Qeverive do të mbahet në Pejë.

Të ngjashme