Haradinaj: Shqetësuese ikja e të rinjve, por nëse janë të papunë është e arsyeshme

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 13:13 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën për medie tha se seanca e sotme për ikjen e të rinjve është e qëlluar për të diskutuar për një temë kaq të rëndësishme dhe se çdo rekomandim i dalë nga aty ai thotë që do të zbatohet nga Qeveria, raporton Ekonomia Online.

“Është një ide e mirë, seancë e qëlluar që Parlamenti me diskutu për një temë të tillë, nuk e si çka kanë propozuar si rezolutë, por çdo veprim që del do ta zbatojmë në mënyrë që jo vetëm me u përballë me të gjitha temat, por serioziteti në punë. Atë që po bëjmë si Qeveri, e mirëpres mbajtjen e seancës nuk pata mundësi me iu bashku, por çdo rekomandim që del ne e shqyrtojmë”, tha Haradinaj.

Ai tha se është shqetësuese ikja e të rinjve nga Kosovë, por sipas tij nëse gjejnë vende pune jashtë është gjë e mirë, por ambasadat sipas tij kanë 10 vite që kanë të njëjtën pritje nga të rinjtë për viza.

“Për ata që nuk kanë një vend pune e gjejnë diku ajo është zgjidhje për ata që janë të papunë, është e arsyeshme dhe detyrë e jona është me hap vende pune në Kosovë, është shqetësues realiteti jonë, është e pamundur me zgjidh këtë me urgjencë, mënyra më e mirë është me e lehtësu tregtinë, shumica që shkojnë ata vetë kthehen nëse gjejnë punë unë mendoj se trendët e lëvizjes është mirë me i pa çfarë janë sepse flasin diçka, ambasadat kështu janë që 10 vite”, tha ai.

Haradinaj tha se është nder për Kosovën që do të marr pjesë në takimin e Berlinit dhe nëse mundet do të shfrytëzoj rastin të flas edhe për nevojën e liberalizimit të vizave.

“Është një takim i gjerë, janë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja, është nderë në emër të Kosovës të paraqitemi, por agjendë nuk kemi diçka. Janë shumë njerëz aty të ftuar, do të bisedojnë ata që kanë fjalë do kemi mundësinë me bisedu, do konsultohemi paraprakisht për tema, ne jemi të interesuar për liberalizim të vizave dhe shpresoj që do të kemi mundësi me trajtu këtë temë aty”, shtoi Haradinaj, raporton EO.

Kreu i Qeverisë tha se nuk pret ndonjë marrëveshje të ndodh pas këtij takimi. Ai tha se delegacioni shtetëror e ka këtë detyrë.

“Mendoj se është i dobishëm dhe nder për Kosovën, por nuk shoh ndonjë parashikim dhe marrëveshje për Kosovën, ne e kemi delegacionin shtetëror që janë të mandatuar për atë temë”, tha ai.

Haradinaj tha se takimi me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor që e kishte potencuar më herët se do mbahet ne fillim të prillit, kjo nuk do të ndodhë për momentin, ky takim ende mbetet në tavolinë, por do jetë në një periudhë tjetër.

Të ngjashme