Heshtja nuk flet: Krerët e shtetit e partitë opozitare “gojëkyçur” për kërcënimet e BIA-s serbe ndaj Dick Martyt

Prishtinë | 11 Pri 2022 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Ditëve të fundit, në mediat zvicerane, por edhe ato në Kosovë bujë të madhe ka bërë hulumtimi i “Mise au Point” (Fokus) i Televizionit publik zviceran lidhur me ish-senatorin zviceran Dick Marty i cili prej dhjetorit të vitit 2020 jeton në masa të rrepta sigurie për shkak të kërcënimeve që ka marrë për jetë, siç pretendon ai, nga shërbimet sekrete serbe

Sipas asaj që raportohet nga mediat në Zvicër, Dick Marty citohet të ketë thënë se “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e “botës së krimit”. “Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.

Për sulmin e planifikuar, një serb thuhet se ka kontrabanduar armë në Zvicër diku në dhjetor 2020, përcjell albinfo.ch. Për të përfituar nga vëmendja e shtypit lidhur me aktakuzën e Hashim Thaçit, vrasja duhet të paraqitet si t’i atribuohet qeverisë kosovare/shqiptare (ish-UÇK), për ta diskredituar atë ndërkombëtarisht”.

Por lidhur me këtë çështje, krejt pak reagime ka pasur në Kosovë. Në anën tjetër nga Serbia kanë reaguar BIA të cilët kanë mohuar të kenë lidhje me kërcënimet ndaj Martyt dhe mohojnë të kenë planifikuar vrasjen e tij dhe fajin t’ua lënë shqiptarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qëndroi për vizitë 3 ditore në Greqi ku mori pjesë në Forumin Ekonomik, por edhe pse pati takime me liderë të fuqishëm evropianë, ai qëndroi i heshtur sa i përket çështjes së raportimeve për Dick Martyn edhe pasi u kthye në Kosovë. Reagimi i fundit i Kurtit është ai ku përmbledh takimet që zhvilloi në Greqi.

Reagim nuk pati as nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Ajo ka bërë sot një reagim në Facebook’un e saj që i kushtohet heroit të Kosovës, Agim Ramadanit, por ajo ka qëndruar tërësisht e heshtur sa i përket raportimeve rreth Dick Martyt.

Deklarime nuk ka pasur as nga partitë opozitare. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i partisë Lumir Abdixhiku nuk e thanë asnjë fjalë lidhur me këto raportime dhe me deklarimet e vet ish-senatorit Dick Marty, ndërsa heshtje pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lideri i saj, Ramush Haradinaj.

Reagime ka pasur vetëm nga dy subjekte politike në Kosovë. Nisma Socialdemokrate ka lëshuar komunikatë për media ku kanë thënë se mënyra e vetme që të ketë proces gjyqësor të paanshëm është tërheqja publike e Martyt nga akuzat që i kishte bërë ndaj UÇK-së me raportin e tij.

“…tërheqja publike e Dick Martyt nga shërbimi që i ka bërë shërbimit sekret serb që ka planifikuar edhe vrasjen e tij, është ndihma më e madhe që ai mund t’i japë drejtësisë.”, thuhet në këtë reagim.

Kërcënimet nga shërbimi sekret serb, Nisma del me komunikatë: Ja si mund ta ndihmojë Dick Marty drejtësinë

Në anën tjetër, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media lidhur me këtë çështje. Nënkryetarja e këtij subjekti politik, Vlora Çitaku ka thënë se kjo tendencë e rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në.

Çitaku shtoi se edhe më shqetësues në këtë rast, është vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marti nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe Moskë, mbi bazën e të cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale.

“Pra, nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martit nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën tonë, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marti ka qenë agjendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë. Dhe kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot, taksapaguesit evropian paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre, përderisa në anën tjetër, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së.”, tha ajo.

Çitaku konsideron se kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej.

“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.

Ajo tha se kjo çështje vë në pikëpyetje tërë klauzolën e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të duhej të prodhonte reflektim edhe tek institucionet e Kosovës, të cilat që nga raportimi i këtij zhvillimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, ende nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi.

Çitaku, PDK: Raportimet se Dick Marty është cak për ekzekutim nga shërbimet sekrete serbe, përpjekje për njollosjen luftës së UÇK-së dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës

Reagim tjetër nga PDK, ka ardhur nga deputetja Blerta Deliu-Kodra e cila ka deklaruar se po habitet me habinë e Dick Martyt pasi ai është bartës i një projekti komplotist nga shërbimet serbe.

Deliu Kodra ka thënë se Marty e njeh kapacitetin kriminal të shërbimeve serbe dhe ai nuk ka qenë i painformuar për gatishmërinë e tyre për inskenimin dhe montimin e ngjarjeve. “Ai vetë u ka shërbyer këtyre sajimeve”, është shprehur Deliu-Kodra.

“Po habitem me habinë e Dick Martyt! Ai ka qenë vetë bartës i një projekti komplotist të dizajnuar po nga këto shërbime serbe. Ai e njeh kapacitetin e tyre kriminal dhe e di, sa larg mund të shkojnë në realizimin e misioneve kundër shqiptarëve të Kosovës. Ai nuk ka qenë i painformuar me gatishmërinë e këtyre shërbimeve për të inskenuar e montuar ngjarje kundër shqiptarëve të Kosovës. Ai vetë u ka shërbyer këtyre sajimeve.Po me vjen keq që familja e tij është duke përjetuar pasojat e fajit të tij. Por, z.Marty duhet ta gjejë guximin të zbulojë publikisht, komplet të vërtetën e raportit të tij, i cili prodhoi shumë dhimbje. T’i tregojë familjes së tij, opinionit zviceran dhe atij ndërkombëtar se si pranoi të bartë një projekt komplotist ndaj drejtuesëve të një ushtrie për çlirim, pikërisht nga shteti gjeocidal, shërbimet e të cilit duan ta vrasin. Mungesa e gjetjes së këtij guximi intelektual e njerëzor para së gjithash – më habitë!”, ka thënë Deliu-Kodra.

“Çele-guri-gojën” ishte gjendja e shoqërisë civile këto ditë sa u raportua për kërcënimet me jetë ndaj Dick Martyt nga shërbimet inteligjente të Serbisë, derisa nga këta të fundit pritet të jenë më të zëshëm në çështje si kjo.

Arsyeja pse në Kosovë gjithkush po qëndron gojëkyçur sa i përket këtyre zhvillimeve, nuk dihet, por një ndër njerëzit më të zëshëm në këtë drejtim ishte ish-këshilltari i Presidentit të Kosovës, Artan Behrami i cili nëpërmjet një statusi në Facebook kritikoi opozitën, qeverinë dhe shoqërinë civile për mosreagime.

Ai në një postim tjetër të tijin është shprehur se ish-senatori Marty po tenton t’i ikë dëshmisë në Gjykatën Speciale dhe të tregojë se ku i ka marrë informacionet e fabrikuara për raportin skandaloz të hartuar ku akuzoheshin ish-krerët e UÇK-së për trafikim organesh.

“Dick Marty po mundohet t’i ikë dëshmisë në Speciale, pa të, nuk ka proces gjyqësor të paanshëm”
Lajmi.net gjatë ditës së djeshme ka publikuar komunikatën e FedPol dhe Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër lidhur me rastin e Dick Martyt ku thuhet se konteksti i kërcënimeve është i supozuar të jetë “transnacional” dhe ka komponentë politikë.

Sipas kësaj komunikate organe të nivelit federal dhe kantonal janë përfshirë në fushat e përgjegjësisë për të garantuar sigurinë e Martyt.

“Ne mund të konfirmojmë se që nga dhjetori i vitit 2020, duhej të konsiderohej një siutatë serioze kërcënimi kundër z. Dick Marty. Përveç aspekteve të se drejtës penale, çështja përfshin edhe garancinë e sigurisë personale dhe, për shkak të kontekstit të supozuar transnacional, ka edhe komponentë politikë. Prandaj, organe të ndryshme në nivel federal dhe kantonal janë përfshirë në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë. Në këtë kontekst, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, FedPol dhe autoritete të tjera partnere kanë hartuar një sërë masash gjithëpërfshirëse.”, thuhet në këtë komunikatë, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu, për të garantuar siguri, FedPol ka marrë masa mbrojtëse që përfshijnë edhe mbrojtjen e afërt në rastet kur Marty del nga shtëpia e tij dhe masa të tjera të mbrojtjes teknike në vendbanimin e tij.

Duke marrë parasysh që masat e sigurisë janë ende në funksion, autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me këtë çështje.

“Për të garantuar sigurinë, FedPol ka marrë masa të gjera mbrojtëse bazuar në vlerëzimet e rregullta të situatës, duke përfshirë sigurinë në afërsi të drejtpërdrejtë të z. Marty (kjo përfshin të ashtuquajturën mbrojtje të afërt kur shfaqet në hapësira publike ose masa mbrojtëse teknike në vendmbanimin e tij). Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë kantonale. Masat e sigurisë dhe mbrojtjes janë ende duke u zbatuar, prandaj – për të mos dëmtuar në mënyrë të panevojshme efiktivitetin e tyre – nuk bëhen të ditura detajet.”, thuhet në komunikatë.

Çfarë thonë autoritetet zvicerane për kërcënimet ndaj Dick Martyt, mbrojtjen dhe sigurinë e tij?
Mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillimet ditëve në vazhdim lidhur me deklarimet e Martyt dhe raportimet e mediave në Zvicër për situatën e tij në raport me kërcënimet nga shërbimet sekrete të Serbisë.

Të ngjashme