Hoti: Zotohemi për modernizimin e ushtrisë, UÇK-ja bëri luftë të pastër e të drejtë

Prishtinë | 27 Nën 2020 | 12:37 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Avdulla Hoti tha se Qeveria e Kosovës do të mundësoj zhvillimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Ekonomia Onlie.

Hoti në fjalimin para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me rastin e Ditës së Forcës, shtoi se krejt kjo do të arrihet duke blerë e pajisje moderne që i japin mundësi ushtrisë të kryej detyrat dhe obligimet që ka.

“Ju shpreh urimet më të ngrohta për këtë ditë. Edhe gjatë muajve të rëndë të këtij viti pjesëtaret e FSK-së e kanë dhënë provimin. Më lejoni që në Ditën e Forcës të iu shprehë mirënjohjen dhe falënderimit gjitha vendeve mike që fal ndihmës së tyre FSK-ja është institucion që na bënë krenar të gjithëve”.

“Qeveria e Kosovës do të mundësojë zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së, duke blerë pajisje me qëllim të kryerjes së detyrave të tyre. FSK-ja me hapa të sigurt po i vendosë konturat e një ushtrie. Pa e harruar të kaluarën ne jemi të vendosur të punojmë krahas vendeve tjera”.

Me këtë rast ai ka folur edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, për të cilën ka thënë se Kosova ka dëshmuar se është e përkushtuar për paqe dhe marrëdhënie të mira me fqinjët.

Sipas kreut të ekzekutivit populli i Kosovës dhe UÇK-ja kanë bërë luftë të drejtë për liri e pavarësi, raporton EO.

“Republika e Kosovës do të integrohet në Bashkimin Evropian. Me qëllim të arritjes së një marrëveshje me Serbinë ne jemi të përkushtuar me të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull”.

“Republika e Kosovës ka dhënë prova të fuqishme se është për paqe e marrëdhënie të mira. Populli i Kosovës dhe UÇK-ja kanë bërë luftë të drejtë për pragun e derës për liri e pavarësi. Ne do të kërkojmë që drejtësia ta thotë fjalën e plotë të saj”.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit Hoti në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës:

E nderuara ushtruese e detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,

I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Anton Çuni,

I nderuar komandant i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama,

Të nderuar eprorë dhe ushtarak të FSK-së,

Të nderuar anëtar të Parlamentit, mysafir,

I nderuar komandant i KFOR-it,

Zonja dhe zotërinj,

Duke ju shprehur urimet më të ngrohta në këtë ditë të shënuar, theksoj me kënaqësi se Forca e Sigurisë së Kosovës, që disa vite me radhë, e gëzon epitetin e institucionit më të besueshëm në Kosovë.

Ky besim, ky vlerësim i lartë që kanë qytetarët e Republikës së Kosovës për FSK-në, nuk është vetëm çështje sentimenti, por, mbi të gjitha, është rezultat i politikave të duhura të Ministrisë së Mbrojtjes, të udhëheqjes së mirë të eprorëve të FSK-së dhe punës e përkushtimit profesional të secilit anëtar dhe pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Edhe gjatë muajve të rëndë të këtij viti, përveç detyrave dhe obligimeve të tyre të zakonshme, pjesëtarët e FSK-së e kanë dhënë me sukses provimin e tyre para qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, duke marrë pjesë aktive në përpjekjet tona të përbashkëta për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19, e cila, ashtu si kudo në botë, edhe te ne ka lënë pasoja tepër të rënda, duke marrë shumë jetë njerëzish dhe duke e goditur ekonominë te vendit.


Të dashur eprorë dhe ushtarë të FSK-së,

Zonja dhe zotërinj,


Më lejoni që, në Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’u shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta të gjitha vendeve mike, anëtare të NATO-s, të cilat gjatë gjithë këtyre viteve, e kanë ndihmuar fuqishëm rritjen dhe perfeksionimin e FSK-së.

Sot, falë edhe ndihmës së tyre, Forca e Sigurisë e Kosovës është institucion që na bën krenarë të gjithëve. Ajo është emblema më e mirë e identitetit të shtetësisë së Kosovës, është shenja dalluese e modernitetit dhe e së ardhmes euroatlantike të Republikës sonë. Po ashtu, dua ta ritheksoj qëndrimin e prerë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për FSK-në: Forca e Sigurisë e Kosovës do të jetë një ushtri moderne dhe profesionale, e cila do të avancojë krahas vendeve të zhvilluar dhe ushtrive bashkëkohore, me qëllim që të jetë përherë e gatshme për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa asnjë dallim.


Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, do të mundësojë zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së, duke vazhduar të ndihmojë dhe të financojë edukimin dhe arsimimin e kuadrave të saj, por edhe blerjen dhe mirëmbajtjen të gjitha pajisjeve të nevojshme për funksionimin dhe kryerjen e detyrave që i ka përpara FSK-ja.


Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkërendim të plotë me Ministrinë e Mbrojtjes, me udhëheqësit e FSK-së dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, ka plane të detajuara për të ardhmen e FSK-së, për transformimin dhe për zhvillimin e saj. Këto plane parashohin me saktësi ecurinë e zhvillimit dhe të modernizimit të kësaj force, e cila me hapa të sigurt po i merr të gjitha konturat e një ushtrie të strukturuar mirë, të disiplinuar dhe të përgjegjshme për detyrat dhe synimet që i ka përpara vetes.


Republika e Kosovës është e përkushtuar që rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, të integrohet në strukturat euroatlantike, në mënyrë që popujt tanë t’i përkushtohen zhvillimit ekonomik dhe përparimit të përgjithshëm shoqëror së bashku. Pasojat e luftërave që kanë ndodhur në fundshekullin XX kanë qenë të rënda për të gjithë rajonin, veçmas për vendin tonë. Dhe dihet botërisht kush ka qenë shkaktari, kush ka qenë agresori i atyre luftërave me pasoja të tmerrshme. Megjithatë, pa e harruar kurrë të kaluarën, ne jemi të vendosur të punojmë shumëfish për ta zënë hapin e zhvillimit krahas vendeve të botës së qytetëruar dhe demokratike.


Pa marrë parasysh sfidat e shumta, ne jemi të vendosur që vizionin e ideatorëve dhe themeluesve të Republikës së Kosovës ta jetësojmë në tërësi. Ky vizion për ne është mision në vete; madje një mision i shenjtë dhe i paalternativë: Republika e Kosovës do të integrohet në Bashkimin Evropian, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë, si dhe do të ketë përgjithmonë marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Ndërsa, ushtria jonë, Ushtria e Republikës së Kosovës, do të jetë anëtare e Aleancës Veriatlantike dhe do të zhvillohet e do të forcohet sipas standardeve më të larta të kësaj aleance, në mënyrë që djemtë dhe vashat tona të jenë pjesë aktive e misioneve paqësore kudo në botë. Ndërkaq marrëdhëniet me të gjitha vendet e rajonit tashmë ne mund të cilësojmë si të shkëlqyeshme, Republika e Kosovës është plotësisht e vendosur që të këto marrëdhënie t’i rregulloj përgjithmonë edhe me Serbinë dhe me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale, përfundimtare, obligative dhe gjithëpërfshirëse, për njohje reciproke ne i kemi hyrë procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet vetëm me njohje reciproke në mes të dy shteteve sovrane. Sepse është e qartë se asnjë marrëveshje gjysmake nuk garanton paqe dhe stabilitet në rajon.


Prandaj ne jemi të përkushtuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë mbetur pezull, ndër të cilat çështja e të zhdukurve është njëra ndër temat më të rëndësishme. Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, në Serbi vazhdojnë të gjenden varreza masive me eshtra të civilëve shqiptarë të Kosovës, të cilët janë rrëmbyer, janë ekzekutuar mizorisht dhe janë hedhur në varreza të përbashkëta anekënd Serbisë.


Vrasjet e civilëve shqiptarë janë bërë në mënyrë të organizuar nga aparati shtetëror i kohës së Millosheviqit dhe ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, miqve tanë ndërkombëtarë, që ta shtojë presionin ndaj Serbisë, në mënyrë që Beogradi zyrtar të mos pengojë edhe më tej kërkimet për gjetjen dhe zbulimin e këtyre varrezave. Ky është një borxh moral e humanitar ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, të cilët kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre. Por, gjithashtu, ky është një kusht për ndërtimin e besimit në mes dy popujve, që është interes i të gjithëve në rajon.


Nga ana e saj, Republika e Kosovës ka dhënë përsëritshëm prova të fuqishme se është për paqe dhe për marrëdhënie të mira me të gjithë. Kosova i beson drejtësisë dhe është e përkushtuar që drejtësia të vihet në vend për secilin rast, për secilin krim të pazbardhur.


Populli i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë bërë luftë të drejtë, luftë mbrojtëse për pragun e derës, për liri dhe pavarësi, madje ne nuk kemi çka të fshehim, nuk kemi pse ta pengojmë punën e drejtësisë. Ne kemi kërkuar me ngulm që dy dekada dhe do të kërkojmë përherë, që drejtësia ta thotë fjalën e saj të plotë, dhe gjithë fajtorët e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë të vihen përpara drejtësisë!


Ju faleminderit!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës!

Të ngjashme