Hoxha takon sekretaren e shtetit nga Gjermania, e cila përkrah proceset nëpër të cilat po kalon Kosova

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim Znj. Maria Flachsbarth, Sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, njëherësh anëtaren e Bundestagut gjerman, me të cilën diskutoi për liberalizimin e vizave si dhe procesin integrues.

Ministrja Hoxha theksoi se kushtet për liberalizimin e vizave sipas udhërrëfyesit të gjitha 95 janë përmbushur, tashmë ka filluar fushata për informimin e qytetarëve për lëvizjen e lirë, duke shpërndarë materiale edhe në gjuhët e komuniteteve në të gjitha lokalitetet e vendit.

Ministrja Hoxha e falënderoi Znj. Flachsbarth, për kontributin e Gjermanisë në zgjidhjen e sfidave të Kosovës.

“Kosovës i duhet përkrahja për përshpejtimin e vendimmarrjes brenda këtij viti – sepse i kemi përmbushur të gjitha 95 kriteret. Vota e Gjermanisë në Këshillin e Ministrave është me rëndësi thelbësore për këtë proces”, theksoi Ministrja Hoxha, duke e njoftuar për fushatën e informimit për liberalizimin e vizave. Qytetaret e Kosovës nuk do ta keqpërdorin këtë të drejtë, vuri në dukje Ministrja.

Sekretarja e Shtetit, njëherësh edhe deputete e Bundestagut gjerman, Znj. Flachsbarth vlerësoi lart përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e kushteve për liberalizim, duke vënë në pah rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit dhe Agjendën Evropiane të Reformave. Ajo theksoi se Gjermania ka shprehur qëndrimin e vet për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit perëndimor, rëndësinë e paqes në këtë pjesë të Evropës si dhe zhvillimin ekonomik, duke ofruar përkrahje të gjithanshme për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme