Hoxhaj takon komisionerin Hahn, në tetor takimi i parë Kosovë-BE

Bruksel | 12 Sht 2016 | 18:58 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në Bruksel edhe komisionierin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, me të cilin ka diskutuar për raportet Kosovë-BE, liberalizimin e vizave dhe veçmas zbatimin e MSA-së pas hyrjes në fuqi të saj.

Pas takimit, Hoxhaj ka thënë se e informoi komisionerin Hahn për zhvillimet politike në Kosovë dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit pas hyrjes në fuqi të saj.

Sipas Hoxhajt, BE-ja edhe më tej është aspirata e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe liderët e zgjedhur të saj do të bëjnë çmos që të punojnë për të arritur këtë.

“Gjatë ditës së sotme kam takuar përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, zonjën Mogherini, dhe komisionierin për Zgjerim, zotin Hahn. Me të dy kam diskutuar për tema të rëndësishme, por fokusi kryesor ka qenë në dy procese të mëdha. Së pari, sa i takon të ardhmes evropiane ku ne presim gjatë muajit tetor të mbahet Këshilli i Stabilizim Asocimit BE-Kosovë, që do të jetë një hap i parë i rëndësishëm i zbatimit të marrëdhënies kontraktuale të Kosovës me BE-në. Dhe së dyti, kemi biseduar që BE-ja, zonja Mogherini dhe zoti Hahn të bëjnë presion mbi Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve që Kosova i ka arritur deri më tani” ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu, temë diskutimi ka qenë edhe çështjet e zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, veçmas demarkacioni me Malin e Zi dhe votimi.

Hoxhaj është takuar edhe me Shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini, ndërsa pritet të takohet edhe me Komisionerin për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, zëvendësekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe shumë eurodeputetë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme