Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj takohen sot

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Tre partnerët e koalicionit qeveritar, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe i Nismës, Fatmir Limaj do të takohen në ora 16:00.

Ndonëse nuk dihet se cila është arsyeja e këtij takimi, partnerët e koalicionit qeveritar kanë shprehur qëndrime të ndryshme për taksën 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, ka deklaruar se taksa 100 % nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte, si mirëbesim ndaj SHBA-ve dhe BE-së për disa arsye.

“Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka thënë Veseli.

Kryeparlamentari ka thënë se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve, ndërsa ka shtuar se ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

Në ndërkohë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i AAK-së u ka shkruar një letër ambasadorëve të Quint-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, në të cilën i ka bërë të ditura kushtet për pezullimin e taksës 100 %.

Ai ka kërkuar nga SHBA-të dhe BE-ja që të nisin dhe mbështesin një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila konferencë sipas tij duhet të përfundojë brenda 14 ditësh.

Në letër thuhet se tarifa do të ri-vendoset në një datë të mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e detyrueshme e arritur në Konferencë.

Të ngjashme