Kalon në Vetëvendosje ish-deputetja Demi-Murtezi

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja e Kuvendit, Labinotë Demi-Murtezi, është anëtarsuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo u bë e ditur nga kreu i VV-së, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, ka thënë se Demi-Murtezi, dëshiron që të të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste të cilat i sheh të mundshme vetëm me VETËVENDOSJE!-n e të domosdoshme për Kosovën.

Labinotë Demi-Murtezi ka qenë deputetja e parë e mbuluar në Kuvendin e Kosovës.

Ajo pjesë e legjislativit kosovar ishte bërë si kandidate e Partisë së Drejtësisë, e cila në atë kohë ishte në koalicion parazgjedhor me AKR-në e Behgjet Pacollit.

“Labinotë Demi-Murtezi është letrare dhe albanologe, ka përfunduar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Ajo u anëtarësua në Lëvizjen tonë”.

“Me prejardhje është nga Gjilani ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme (mjekësi e përgjithshme). Vazhdimisht është kyçur në jetën publike, me aktivitete kulturore e shkollore si nxënëse, me ç’rast ka qenë edhe kryetare e të gjitha shkollave të mesme të qytetit. Pastaj, si studente ka qenë aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave. Ka marrë pjesë në disa kurse e trajnime specialistike, ka qenë asambliste e Kuvendit Komunal në Gjilan, Drejtore e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e mandej edhe deputete në legjislaturën e kaluar të Kuvendit”.

“Znj. Labinote dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste të cilat i sheh të mundshme vetëm me VETËVENDOSJE!-n e të domosdoshme për Kosovën”, ka shkruar Kurti.

Të ngjashme