Katër ligje për katër muaj

Prishtinë | 29 Kor 2021 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Që nga 22 marsi, kur është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe kur është miratuar agjenda legjislative e Qeverisë, e deri më tani, nga 26 projektligje sa janë në procedurë, Kuvendi ka miratuar vetëm katër prej tyre. Një nga këto miratime është ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Sipas vlerësimeve nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit, Qeveria është vonuar në miratimin e agjendës legjislative dhe, rrjedhimisht, ka edhe vonesa në miratimin e ligjeve.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese në KDI, tha për Radion Evropa e Lirë se dinamika e punës në Kuvendin e Kosovës duhet të rritet, në të kundërtën miratimi i ligjeve do të mbetët shumë mbrapa.

“Dinamika e punës së Kuvendit të Kosovës, në aspektin e ligjbërjës, varet shumë nga puna e Qeverisë. Edhe, në fakt, Qeveria është vonuar goxha shumë deri në miratimin e agjendës. Mandej, ka edhe vonesa të tjera për miratim të ligjeve”, tha Haxhiu.

Brenda këtij viti, në agjendën legjislative janë paraparë për shqyrtim 193 ligje.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se deri në fund të vitit do të miratohet një numër i konsiderueshëm i ligjeve.

Sipas tij, janë disa afate të brendshme brenda Kuvendit, që e pamundësojnë kalimin më të shpejtë të projektligjeve.

“Kuptohet, tash jemi në fund të sesionit pranveror dhe Kuvendi pritet të shkojë në fillim të gushtit në pushim, për t’u kthyer në sesionin vjeshtor në javën e dytë të shtatorit. Unë pres që punë shumë e madhe do ta presë Kuvendin dhe deputetët, në kuptimin e shqyrtimit të projektligjeve në vjeshtë, sepse tash janë disa projektligje që kanë kaluar në leximin e parë e që pritet të kalojnë në grupet punuese”, tha Rrustemi.

Nga ana tjetër, deputetja Time Kadrijaj, nga radhët e partisë politike opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria është vonuar shumë në sjelljen e ligjeve në Kuvend.

“Është një Qeveri që shumë pak ka punuar në hartimin dhe në sjelljen e projektligjeve të reja dhe në miratimin e votimin e tyre. Ato afatet kohore që janë paraparë për sjelljen e ligjeve te shumica e komisioneve, janë shtyrë. Tash është edhe koha e pushimeve dhe Kuvendi do të shkojë në pushim. Duke e ditur se cilat janë procedurat për miratimin e ligjeve, unë them se deri në fund të vitit, do të ketë shumë pak ligje të miratuara”, tha Kadrijaj.

Kërkohet bashkëpunim pushtet – opozitë për ratifikimin e marrëveshjeve

Një nga problemet në Kuvendin e Kosovës është mosarritja e kuorumit. Edhe më herët në legjislaturat e kaluara, por edhe tani, Kuvendi nuk ka arritur që të bëjë ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare në mungesë të kuorumit.

Deputeti Rustemi tha se opozita duhet ta kryejë punën e saj dhe të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, kurse deputetja Kadrijaj tha se opozita kryesisht është e pranishme në seanca dhe në takimet e komisioneve dhe grupeve parlamentare.

Pa një bashkëpunim ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë, ratifikimi i marrëveshjeve do të jetë i vështirë, tha Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Është shumë e domosdoshme që të krijohet një rrugë bashkëpunimi, një gjuhë e përbashkët me opozitën, sepse kjo është e vetmja mënyrë që këto projektligje të kalojnë. Duke pasur parasysh që projektligjet janë proceduar prej Qeverisë, i takon shumicës parlamentare dhe Qeverisë që të kultivojnë një qasje më bashkëpunuese me opozitën”, tha Haxhiu.

Për t’i ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, nevojiten votat e 2/3 të deputetëve (apo 80 nga 120 deputetë).

Marrëveshjet që pritet të ratifikohen, janë amandamentimi i Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore, Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim, Marrëveshja e kornizës së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”, etj.

Kuvendi, deri më tani, ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes financiare Programi i Instrumentit të Para-anëtarësimit [IPA] ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe ligjet për drejtësi, infrastrukturë dhe buxhet.

Të ngjashme