Krasniqi: Kryeministrit i ka interesuar vetëm kolltuku

Prishtinë | 13 Maj 2017 | 09:49 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, njëherësh ministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka thënë se kryeministrit Isa Mustafa i ka interesuar më shumë kolltuku i tij dhe qeverisja në mënyrë formale, sesa fakti që qytetarët kanë qenë të pakënaqur me mosrealizimin e premtimeve të dhëna nga ai.

Madje, Krasniqi ka theksuar se Mustafa vetëm kështu ka dashur të qeverisë edhe një vit.

Sa i përket prishjes së koalicionit, ku Isa Mustafa ka fajësuar PDK-në, Krasniqi ka thënë se Mustafa është dashur të reflektojë shumë më herët, pasi sipas tij, kohë më parë kjo parti është ballafaquar me shumë probleme me marrëveshjen e qeverisjes.

“Mendoj që nuk është mirë që t’iu iket përgjegjësive, duke pasur një qasje të hedhjes së fajit për dështime. Zotëri Mustafa është dashur që me kohë të reflektoj për problem të cilat jemi ballafaquar me muaj të tërë, ndoshta vite me radhë”, ka thënë Krasniqi për Ekonomia Online.

Krasniqi po ashtu ka theksuar se shumë pika të marrëveshjes nuk janë respektuar nga LDK-ja, e sidomos ajo për zhvillim ekonomik.

“Marrëveshja nuk funksionon vetëm në pika të ndara… Shumë pika nuk kanë arritur të respektohen nga LDK-ja, mbi të gjitha pjesa e programit të zhvillimit ekonomik. Për neve ka qenë qenësor pjesa programit të zhvillimit ekonomik të Qeverisë dhe absolutisht nuk kemi qenë të kënaqur. Këtë çështje e kemi bërë të njohur për ish-partnerin tonë të koalicionit, por që nuk ka pasur reflektim prej tyre”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, ai ka thënë se do të diskutojnë vetëm me ato parti të cilat kanë pozicion të afërt politik me PDK-në.

“PDK-ja edhe në zgjedhjet e kaluara, zakonisht ka pasur një koalicion ku ka mbledhur rreth vetës një numër të partive të cila kanë pasur një ideologji politike, pozicion politik të përafërt. Besojmë që edhe në zgjedhjet e ardhshme do të mbledhim rreth vetës edhe një pjesë të këtyre partnerëve që tashmë janë tradicionalë. Kemi pasur bisedime por do të kemi edhe bisedime të tjera me partitë politike që nuk dua t’i cilësoj si parti të vogla, por që kanë një mbështetje të caktuar, dhe besoj që sipas afateve të cilat tashmë i ka përcaktuar KQZ-ja, me kohë do të bëjmë regjistrimin e këtyre koalicioneve”, ka thënë Krasniqi.

Se a do të bëjë PDK-ja koalicion me partnerin fundit LDK-në, Krasniqi ka thënë se PDK-ja nuk është parti e logjikës së vijave të kuqe, por së pari do të bëjnë koalicion me qytetarët, pastaj me atë subjekt politik i cili do të pranoj programin qeverisës me pikësynim zhvillimin ekonomik të vendit.

Lexo më shumë:

Të ngjashme