Kryeministri Kurti në Krushë të Madhe: Nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë

Prishtinë | 26 Mar 2022 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Masakra e kryer në Krushë të Madhe që la 241 viktima, dhe e cila ndodhi mu në fillim të bombardimeve të NATO-s, sot me gjithë forcën që e kemi parë për ta përballuar, nuk e ka zhdukur dhimbjen. Ajo nuk ka diçka që është e tejshkuar e jonë e largët, por veçse pjesë e realitetit tonë të përditshëm, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tubimin përkujtimor në shënim të 23-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe.

Duke thënë se Kosova është e shënuar e tëra, në trupin dhe në kohën e vet, nga vrasja e shënjestruar dhe nga vrasja masive, masakra, kryeministri deklaroi në emër të qeverisë që drejton se e ka shumë të qartë përmasën e punës që duhet të kryejmë.

Ai theksoi se të gjithë së bashku, qeveria dhe qytetarët, duhet të vendosen në të njëjtin parim e në të njëjtën sjellje. Na duhet të realizojmë një shtet që e llogarit ndërtimin e vet në radhë të parë mbi drejtësinë për viktimat e Kosovës, tha kryeministri.

Duke u drejtuar grave të zonja nga Krusha, ai tha se sakrificat e mosdorëzimi i tyre, gjetja e shpresës në thelb të dhimbjes janë mësim jete për të gjithë ne. Që jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë është mësimi që na e japin gratë e Krushës, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha se kjo është historia jonë që na obligon shumë të gjithë neve, për kujdes e solidaritet dhe sidomos për kujtesë të fortë, ndërsa shtoi se nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë. U detyrohemi përjetësisht, për jetë të jetëve, tha kryeministri.

Duke kujtuar se një prej të zhdukurve me dhunë nga ky vend është një nga njerëzit më të mençur që ka kaluar në gjuhën shqipe e në trojet shqiptare: Ukshin Hoti, kryeministri tha se është e lartë dhe e vështirë t’i rikthesh Krushës së Madhe drejtësinë për Ukshin Hotin.

Është e vështirë drejtësia për të zhdukurin. Është e vështirë drejtësia për cenimin në inteligjencë të një populli, tha kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të dashura familje të dëshmorëve, të martirëve, dhe të të zhdukurve me dhunë,

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës, z.Glauk Konjufca,

E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës, znj.Saranda Bogujveci,

I nderuari kryetar i komunës së Rahovecit, z.Smajl Latifi,

I nderuari kryetar i fshatit të Krushës së Madhe, z.Selami Hoti,

I nderuari kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, z.Andin Hoti,

I nderuari përfaqësues i Organizatës së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Rahovec, z.Ejup Kabashi,

Të nderuar përfaqësues të shoqatave të invalidëve të luftës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Kosova është e shënuar e tëra, në trupin dhe në kohën e vet, nga vrasja e shënjestruar dhe nga vrasja masive, masakra. Andaj, ju deklaroj në emër të qeverisë që drejtoj se e kemi shumë të qartë përmasën e punës që duhet të kryejmë. Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur se për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejt. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë, dhe të angazhohemi shumë për drejtësinë për neve. 

Pra, të gjithë së bashku, qeveria dhe qytetarët, duhet të vendosen në të njëjtin parim e në të njëjtën sjellje. Na duhet të realizojmë një shtet që e llogarit ndërtimin e vet në radhë të parë mbi drejtësinë për viktimat e Kosovës. Por, cila është drejtësia që duhet të na shërbejë ne? A është ajo abstrakte, a është ajo teorike, a është e rënë nga qielli, apo e importuar? Sigurisht që jo! 

Ne dje përkujtuam ndërhyrjen e NATO-s në historinë tonë të luftës çlirimtare, në historinë tonë të vetëm dy dekadave më parë. E vetëm një ditë më vonë patë nisur masakra në Krushë të madhe. 241 veta. Drejtësia jonë nuk ka nevojë të jetë as abstrakte as e importuar, por këta 241 veta kërkojnë drejtësi pikësëpari që nis nga vetë angazhimi ynë.

Askush nuk ka pse të vijë e të na mësojë krimet e luftës e të gjenocidit, viktimat foshnje, viktimat gra, dëshmorët dhe të burgosurit, inteligjencën e përdhosur. Përkundrazi, ne duhet t’u mësojmë atyre që përpiqen të harrojnë fatin e mijërave njerëzve në Kosovë. Për dhimbjen tonë, por edhe për të mirën e vetë atyre. Gjithkush duhet të mësojë nga sakrifica e tjetrit. Duke vënë në vend drejtësinë për viktimat dhe masakrat që janë kryer mbi njerëzit tanë, ne i bëjmë nder edhe shoqërive demokratike. 

Masakra e kryer në Krushë të Madhe që la 241 viktima, dhe e cila ndodhi mu në fillim të bombardimeve të NATO-s, sot me gjithë forcën që e kemi parë për ta përballuar, nuk e ka zhdukur dhimbjen. Ajo nuk ka diçka që është e tejshkuar e jonë e largët, por veçse pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Prandaj historitë e sotme në Krushë janë të jashtëzakonshme e do të tregohen ndër breza.

Gratë e zonja nga Krusha u bënë lajm inkurajues jo vetëm në nivel nacional, por janë histori e rrëfyer ndërkombëtarisht. Këtu bashkë me neve është edhe zonja Fahrije Hoti, e pranë saj qëndron Ministrja e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu. Suksesi i grave nuk mund të trajtohet nëse ne nuk e bëjmë së pari këtë. E suksesi i tyre do të mund të rritet pikërisht kur e ndihmojmë ne. Ai është tashmë duke u shtjelluar si ligjëratë edhe në drejtimin e Ekonomisë, por më e rëndësishmja është që ato na e ligjërojnë, na e mësojnë jetën. Askush nuk e ka jetuar më intensivisht se sa ato. Sakrificat, mosdorëzimi, gjetja e shpresës në thelb të dhimbjes janë mësim jete për të gjithë ne. I tillë është për tërë pjesën e botës që e dëgjon historinë e tyre. Që jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë është mësimi që na e japin gratë e Krushës.

Ato jetuan pavarësisht mërzitjes e plagëve në shpirt e në trup. Kjo është historia jonë që na obligon shumë të gjithë neve. Për kujdes e solidaritet dhe sidomos për kujtesë të fortë. Nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë. U detyrohemi përjetësisht, për jetë të jetëve.

Kështu duhet të niste puna jonë që prej fillimit.

Shteti e ndërton drejtësinë mbi sakrificën që e bëri të mundur atë si shtet, përndryshe ai e humbet rrugën. Prandaj dhe ne kemi themeluar një Institut, e viktimat e Kosovës janë aq komplekse sa duhet ndërtuar një skenë meritore e shpalljes së tyre. Sakrifica e Kosovës është aq e gjatë në kohë, sa duhet një studim i tërë, me bashkëpunimin e shumë disiplinave që ta lartësojë deri në vendet më të shenjta të gjykimit. Krimi i luftës në Krushë të Madhe, krimi kundër njerëzimit në Krushë të Madhe, është krim makabër për të cilin nuk është ndëshkuar askush. Edhe këtë e kemi kuptuar pas dy dekadave të humbjes së kohës. Duhet të punojmë që mizorinë ta japim me një dije të plotë dhe një dinjitet të lartë. Kjo punë kërkon energji dhe vullnet, andaj dhe kemi mbetur mbrapa, e duhet ta pranojmë se kërkimi i drejtësisë përgjithësisht është bërë shkel e shko. 

Na e kërkon këtë rivendosje të drejtësisë çdo familje e Krushës, çdo familje e Kosovës, por mbi të gjitha vërtetësia dhe qëndrueshmëria jonë si shtet e si popull. Natyrisht që simbolin e Krushës ne e kemi edhe më të lartë e më të ndritur. Një prej të zhdukurve me dhunë  të Krushës është një nga njerëzit më të mençur që ka kaluar në gjuhën shqipe e në trojet shqiptare: Ukshin Hoti. Është e lartë dhe e vështirë t’i rikthesh Krushës së Madhe drejtësinë për Ukshin Hotin. Është e vështirë drejtësia për të zhdukurin. Është e vështirë drejtësia për cenimin në inteligjencë të një populli.  

Andaj edhe e themeluam Institutin për studimin e krimit. Kur krimi është i madh, akuza duhet të jetë sa më e plotë, kërkimi i gjykimit të drejtësisë sa më i ditur, vendi publik i shpalljes së saj sa më i qartë. Inteligjenca që kërkon drejtësia për të zhdukurit, është po aq e lartë sa dhe inteligjenca që kanë vrarë pushtuesit tanë gjenocidalë.

Lavdi Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!

Të ngjashme