Abdixhiku: Kushtetuta e Kaçanikut vendosi themelet e shtetësisë

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përvjetorin e 31-te të Kushtetutës së Kaçanikut, shpreh mirënjohje për deputetët e asaj kohe dhe vlerëson lartë kontributin e tyre në vënien e themeleve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës: 

“Mëngjesi i kësaj date na bën të kujtojmë e vlerësojmë njerëzit tanë që me shumë mund dhe sakrificë dhanë gjithçka për të realizuar ëndrrën e një populli të tërë për liri e pavarësi. 

Sot është ditë e veçantë për Kosovën sepse ndodhi një ndër zhvillimet më të rëndësishme – Kosova vendosi bazamentin e ndërtimit të shtetësisë. 

Delegatët e asaj kohe, me guxim të pashoq dhe të mbështetur nga populli arritën ta shpallin Kushtetutën e Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, duke vendosur themelet e shtetësisë dhe duke dëshmuar vendosmërinë e popullit për liri, pavarësi dhe demokraci. 

Ashtu siç e thoshte edhe Presidenti Rugova, “dita e 7 Shtatorit të vitit 1990 ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut të të njëjtit vit.” 

Në këtë përvjetor, çmojmë dhe vlerësojmë lart kontributin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në një kohë shumë të rëndë e në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990. 

Përulemi para grave dhe burrave të cilët ditë e natë punuan që ta jetësojnë ëndrrën tonë shekullore dhe sot të jemi të lirë.” 

Të ngjashme