Kurti e komenton motin në mbledhjen e dy qeverive: Të flasim si diplomatë e të punojmë si patriotë

Elbasan | 26 Nën 2021 | 10:41 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri tha se shqiptarët janë njerëz optimist dhe në mot jo të mirë e kur bie shi, e që shiu në Kosovë thuhet se është bereqet.

Kurti tha se në mbledhjen e përbashkët tha se duhet të flasim si diplomat e të punojnë si patriot.

“Është mbledhja e shtatë e dy qeverive, por e para e imja si kryeministër…. sa herë që vij në Shqipëri, sikur qytetarët e Kosovës kam një ndenjësi të veçantë. Jemi një lis me dy degë…”, tha ai.

Kurti tha më tej se shoqëria në Kosovë befas ka përjetuar zëvendësimin e simboleve shtetërore dhe kjo ishte e dhimbshme.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama, i dashuri Edi,

Të nderuar ministra të kabinetit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ne shqiptarët jemi njerëz optimistë, edhe kur dita nuk është me diell e bie shi, themi do të jetë me bereqet.

Më lejoni që fillimisht të përkujtoj që sot janë mbushur dy vjet nga tërmeti i tmerrshëm që e pat goditur Shqipërinë dhe familjarët e të afërmit e 51 të vdekurve sigurisht që në mënyrë të posaçme kanë pikëllim e mallëngjim sot. Ne bashkëndjejmë me ta duke pohuar që dhembja e tyre është edhe dhembja e jonë.

Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët e të dy qeverive, por është mbledhja e parë e imja në të cilën marr pjesë si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Unë vitin e kaluar isha kryeministër 4 muaj, në këtë javë, në këtë vit janë bërë tetë muaj kështu që jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri, jo vetëm si kryeministër, besoj sikurse edhe për shumë qytetarë tjerë të Kosovës, kam një ndjesi të veçantë e cila edhe nuk përshkruhet lehtë, e as nuk shpjegohet kollaj.

Këngëtari ynë i mirënjohur Nikollë Nikprelaj thoshte se jemi si një lis me dy degë. Pra me pak fjalë jemi një, paçka se me dy dialekte të cilët sa shkon e po njësohen falë ndërveprimit në shumë fusha, falë muzikës, artit, sportit etj.

Tani çfarëdo që po them po analizohet e studiohet mirë se ku desha të dalë e çfarë mesazhi po dërgoj, por edhe sikur mos të them asgjë prapë njëlloj do të ishte sepse do të thoshin se edhe ky është mesazh.

Ajo që ndjej, sidomos në Kosovë e cila e kaloi shekullin e fundit duke e valuar flamurin kombëtar, është se ka një lloj ndrydhje të dëshirave dhe ndjenjave kur flitet për Shqipërinë.

Një lloj i represionit të shkaktuar nga trauma e ndërrimit të befasishëm të simboleve që ka rezultuar me një lloj tronditjeje kolektive. Pra, befas e gjithë shoqëria në Kosovë përjetoi një zëvendësim për të cilën nuk u pyet e nuk u lejua të debatohet.

Kjo është dhe do të mbetet një temë e dhimbshme e që e bënë edhe më të dhimbshme faktin që nuk është politikisht korrekte të diskutohet për të, pra një kërkesë për të ndrydhë një dëshirë e një mendim.

–           Tash të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi.

–           Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri po aq edhe shkurtpamësi.

–           Të thuash se angazhohesh për bashkimin kombëtar do të shquanin për nacionalist.

–           E të thuash se do bashkohemi në Bashkimin Evropian të shquajnë për diplomat.

Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë.

E si diplomatë jemi të vetëdijshëm dhe të qartë, se mbledhja e dy qeverive tona është në horizontin e integrimeve. Sa më i mirë-projektuar dhe i mirë-ndërtuar horizonti i marrëdhënieve tona, aq më i mundshëm është integrimi në Bashkimin Evropian i cili është fati ynë.

Integrimi ynë, mes shteteve tona është edhe strategjik, por edhe më tepër qëllimor. Progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet, siç e tha edhe kryeministri Rama, me cilësi në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike, aq edhe historike.

E si patriotë duhet t’i forcojmë të dy shtetet tona. Sepse patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar; të luftosh për lirinë e mediave dhe lirinë e mendimit; të luftosh për gjyqësor të pavarur e për ekonomi gjithpërfshirëse me drejtësi sociale. E vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre.

Bashkëpunimin me njëri tjetrin nuk e kemi dëshirë e zgjedhje por obligim e detyrë, siç e kemi përgjegjësi lartësimin e mbrojtjen e njëri-tjetrit kudo e ndaj kujtdo.

Sa më të përafruar e më të njësuar që jemi në qëndrime rreth të vërtetës tonë, aq më të fortë e të fuqishëm do të bëhemi, sepse jemi më shumë sesa dy shtete, por të shpërqendruar. Duhet të gjejmë thirrjen tonë të përbashkët.

Sa më të integruar që bëhemi aq më e mirë do të bëhet jeta e qytetarëve tanë, aq më të bindur do të jenë për të ndërtuar jetët e tyre këtu dhe çdo e mirë e njërit shtet mund të përcillet te tjetri dhe anasjelltas. Çdo krijimtari shoqërore në njërën anë mund të përcillet dhe të gjej më tepër fuqi në anën tjetër.

Njerëzit tanë duhet të lëvizin e të punojnë, duhet t’ju lehtësohet qarkullimi e qëndrimi; duan të prodhojnë prandaj edhe duhet t’ju zgjerohet mundësia e biznesit dhe e tregtisë. Kjo punë ka nisur të ecë, por tash duhet të vrapojmë, si në shpejtësi edhe në cilësi.

Së bashku mund të prodhojmë më mirë e të fitojmë më shumë. Nuk ka humbje më të madhe se projektimi në qëndrimin brenda të ndërgjegjes së vogël, dhe nuk ka përhumbje më të madhe se shpërndarja nëpër linja të paqëndrueshme veprimi. Qartësia dhe orientimi i përbashkët na udhëzon vetë për lëvizjet më të duhura e më të mbara.

Ne e kuptojmë se linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është cilësi dhe shpejtësi në qarkullim njerëzish dhe mallrash, është ekologji dhe fuqi e tokës në det, është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve. Lidhja hekurudhore është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike e cila e rrit dhe forcon shqiptarët por edhe ndihmon rajonin, sepse ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen.

Marrëveshjet që kemi përpara do të lehtësojnë edhe më tej procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit.

Po hapim pikën e re kufitare në Krushevë të Dragashit e në Shishtavec të Kukësit për të lehtësuar qarkullimin e për të zhvilluar e lidhur komunitetet tona.

Po mbështesim bashkëpunimin kulturor në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, por edhe në krijiimin një kalendari të përbashkët kulturor vjetor sepse, siç  thoshte Fishta, ‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’ e shumë festa tona janë të përbashkëta.

Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë me ndihmë të ndërsjellë juridike, në fushën e doganës duke lehtësuar kalimin e duke zvogëluar kohën e pritjes si dhe po lehtësojmë njohjen reciproke të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore me marrëveshje tjera të cilat na afrojnë e forcojnë më shumë.

E për t’u siguruar se marrëveshjet do të zbatohen tashmë kemi edhe një koordinator të përbashkët, për çka falënderoj qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrin Rama për dakordim dhe mbështetjen e ofruar.

Le të përshpejtojmë hapat e veprimit, të rrisim cilësinë e zbatimit që të shpejtojmë integrimin mes vendeve tona e në Bashkimin Evropian.

Ju faleminderit.

Lexo më shumë:

Të ngjashme