Kuvendi voton programin për zbatimin e MSA-së

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 11:17 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Seancën e sotme Parlamentare të Kuvendit të Kosovës diskutohen pikat e papërfunduara të datës 17 maj.

Deputeti Ismajl Kurteshi  tha se debati për Votimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (2018-2022) duhet të vazhdojë ashtu siç është vendosur në seancën e fundit.

“Në seancën e fundit kanë filluar diskutimet për këtë çështje, por nga të gjitha grupet parlamentare është kërkuar që diskutimi për këtë pikë të shtyhet për seancën e radhës. Diskutimi për këtë çështje nuk ka përfunduar”, tha ai.

Avdullah Hoti tha se ka qenë kërkesë e grupit parlamentar të LDK-së që debati të shtyhet për këtë seancë, për shkak se kanë dashur që ministrja të jetë e pranishme.

“Një çështje kaq e rëndësishme është kaluar në Kuvend me mungesë të plotë të qeverisë”, tha ai.

Glauk Konjufca tha se seanca është problemi dhe jo pika e MSA-së, raporton Ekonomia Online.

“Kjo seancë është thirrur në mënyrë të parregullt, është thirrur në mënyrë elektronike. Prej kur mbledhjen e kryesisë e ka zëvendsuar email-i. Fajin për shtyerjen e seancave dhe akumulimin e pikave e ka mazhoranca”.

Konjufca tha se kryeministri e ka keqkuptuar rolin e tij, raporton EO.

“Kryeministrit po i duket interesant të shkojë të vizitojë rrugë, ai e ka keqkuptuar rolin e kryeministrit, sepse po mendon që duhet t’i kryejë punët e ministrave. Forma më specifike ku deputeti kërkon përgjegjësi nga kryeministri është seanca. Është totalisht kaotik për përgjegjësitë që i ka”.

Bilall Sherifi nga Nisma ka propozuar që çdo ditë të mbahen seanca, në mënyrë që të përfundohen pikat e mbetura.

“Të jepni autorizim  që të përfundohen këto pika që janë, seanca të mbahen çdo ditë, nga e hëna deri të enjten tjetër. Qoftë të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten që të jemi në përfundim. Është barrë për deputetët, futemi në seanca nëse dëshironi”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Avdullah Hoti, nga LDK-ja, tha se kjo është rezultat i papërgjegjësisë së kryeministrit.

“Ta kemi të qartë se kjo është një rezultat i papërgjegjësisë së kreut të Qeverisë. Nuk jam kundër caktimit të seancës që është bërë me email, por të koordinohen punët”.

Kadri Veseli tha se është paralajmëruar që nesër në seancë do të jetë edhe kryeministri.

“Nuk është çështje e autoritetit të cilin e jep Kushtetuta por është çështje e mirëkuptimit të përbashkët, ta kryejmë këtë agjendë të cilën e kemi përpara. Unë nuk mund të garantoj që deri të premten mund ta mbledhi kryesinë. Keni parasysh që kryesia e ka marrë një vendim ku një pjesë e deputetëve do të jenë në agjendë për liberalizimin e vizave do të jenë në vizita jashtë vendit”.

“Është shumë e rëndësishme që deri të mërkurën ta kemi një agjendë intensifikuese që t’i përfundojmë këto pika të cilat janë në pritje për arsye se me këtë ne futemi drejt normalizimit të agjendës. Seancë kemi sot, nesër besoj shumë se do të kemi edhe pasnesër dhe më vjen keq nëse dekurajoj për arsye se ia shumë pika dhe nesër interpelancat janë bukur të gjata. Ishim futë të hanën në një seancë të re, sepse nuk mund ta thirri kryesinë pasi që ata janë jashtë vendit”, tha Veseli.

Gjatë votimit të Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2018-2022, votuan 76 deputetë: 71 për, 1 kundër dhe 4 abstenime.

Për Strategjinë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, 66 deputetë votuan për, 5 kundër, 0 abstenime.

Për Planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020, 71 deputetë votuan për, 1 kundër, 5 abstenime.

Për Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2017, 47 deputetë votuan për, 24 kundër, 8 abstenime. Kuvendi miratoi raportin.

Të ngjashme