Limaj uron VV-në: Nuk do të jemi në Kuvend, por do të vazhdojmë të mbikëqyrim punën e Qeverisë

Prishtinë | 15 Shk 2021 | 14:21 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka vlerësuar zgjedhjet e 14 shkurtit si dinjitoze, duke shtuar se edhe pse këtë mandat nuk do të jenë pjesë e Kuvendit, do të vazhdojnë të mbikëqyrin punën e partisë fituese, raporton Ekonomia Online.

Limaj ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë dal për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

“Unë dhe në emër të kryesisë falënderoj qytetarët. Ka qenë fushatë e jashtëzakonshme dhe kemi arritur objektivë të madhe. Besoj që të gjithë ata që tentuan të zbehin ato vlera gjatë fushatës elektorale filluan të kthehen. Ne nuk do të ndalemi. Unë sot ndihem krenar që shumë djem e vajza të lirisë së Kosovës ndihen çlirimtar. Do të vazhdojmë së bashku që zërin e fuqinë ta promovojmë së bashku”, tha ai.

“Kësaj radhe Nisma nuk do të jetë pjesë e Parlamentit, mirëpo do të vazhdojmë për luftimin për vlerat kombëtare”, shtoi ai.

Tutje, lideri i Nismas uroi partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se tani është koha që Kosova të ketë një Qeveri stabile.

“Nisma si parti do të vazhdojë të mbikëqyrë atyre që populli ua ka dhënë besimin duke uruar partinë fituese të zgjedhjeve. Tani është koha për punë dhe qeverisje stabile për vendin tonë”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e Limajt:

Të dashur aktivistë dhe votues të Nismës Socialdemokrate,

Ju falënderojmë nga shpirti për gjithë angazhimin që kemi pasur gjatë këtyre ditëve. Kemi pasur rastin të ju takojmë, ku kemi parë një angazhim të pashoq, duke bërë një fushatë dinjitoze, me një kauzë sa humane aq edhe patriotike, që e kemi shpalosur anekënd Kosovës, me shumë entuziazëm e përkushtim.

Ju falënderojmë të gjithë juve që keni zgjedhur të votoni Nismën. Ato janë vota të shpirtit dhe ne nga shpirti u jemi mirënjohës. Poashtu falënderoj 110 kandidatët tanë për deputetë të cilët nuk u ndalen asnjëherë në funksion të fuqizimit të subjektit tonë.

Ne kemi arritur një objektivë të madhe, për faktin se, vlerat tona kombëtare kemi arritur t’i rikthejmë edhe njëherë fuqishëm në opinionin publik. Ne si Nismë do të vazhdojmë fuqishëm në promovimin e këtyre vlerave dhe të kësaj kauze.

Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë të jemi zë i fuqishëm i atyre mijëra votuesve, qindra aktivistëve anekënd Kosovës, që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe janë mishëruar me kauzën tonë.

Ne do të jemi bashkë dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga përkushtimi për atdheun tonë, Kosovën. Zëri i çlirimtarëve nga të gjitha anët e Kosovës do të vazhdojë të fuqizohet dhe garancë për këtë do të jemi ne.

Ne do të vazhdojmë me zotimet tona, siç është Ligji kundër mohuesve të gjenocidit dhe do të angazhohemi që padia kundër gjenocidit serb në Kosovë të merr rrugën e duhur.

NISMA si parti opozitare do të vazhdoj të mbikëqyrë punën e atyre që populli ju dha besimin. Fituesit e zgjedhjeve i urojmë për fitoren dhe ne gjithë presim që ata të vazhdojnë me punë. Koha për të fajësuar ka mbaruar, është koha e punës dhe për së afërmi do të vëzhgojmë zotimin dhe besimin që kanë marrë.

Edhe njëherë, i falënderojmë nga zemra qindra mijëra votues, që më 14 shkurt i dhanë besimin Nismës Socialdemokrate. Ne e dimë që ju jeni shpirti i NISMA-s, ju jeni ADN-ja e NISMA-s!

Faleminderit!

May be an image of 1 person, standing and text that says 'NISMA SOC MOKRATE EMOKRATE'

Të ngjashme