Lumir Abdixhiku: Nervozizmi i Hashim Thaçit është shenjë e panikut

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 19:14 | Nga

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vërsulja e Hashim Thaçit ndaj opozitës është shenjë e panikut që buron nga mobilizimi i opozitës, shoqërisë kosovare e secilit kontribuues tjetër të Republikës.

“Kosova nuk rrezikohet nga veprimet e opozitës për mbrojtje territoriale. As nga uniteti i gjerë shqiptar. Ajo rrezikohet nga pazaret për ndarje të Kosovës me Aleksandrin e Beogradit”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

“Rrezikohet nga një lider që nën hijen Speciales është i gatshëm të falë territor. Rrezikohet nga një President që krahason shtetin e vet të pavarur me krahina në Abkhazi e Oseti; që në thellësinë e paditurisë zhvlerëson 114 njohje shtetërore, mendimin vulë të GJND-së, e secilën përpjekje tjetër 30 vjeçare për shtet e sovranitet”.

“Kosova rrezikohet nga kërkesat naive ndaj ndërkombëtarëve “na lini vet se problemet i zgjidhim ne me Serbinë e Aleksandrin” – sepse “ui ar not problematik gajs”. Qëkur shqiptarët qenkan më mirë vet në përballje me agjendat e Serbisë së Madhe e qëkur Serbia s’qenka problematike?! Këso qëndrime, këso plane, këso deklarime naive i kanë zënë në befasi edhe aleatët më të mëdhenj të Kosovës – nga Gjermania në Britani, nga Britania në SHBA”.

Madje Abdixhiku ka vlerësuar se rezoluta parlamentare e opozitës e ka mbështetjen e fortë të partive opozitare.

Sipas tij, “kjo rezolutë e fundosë mirë e fort – para Kosovës e komunitetit ndërkombëtar bashkë – projektin e ndarjes”.

“Shqiptarët, në shumicë absolute, si rrallëherë më parë kalojnë vijat partiake e flasin me një zë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme