Lushaku: Menaxhimi i pandemisë i atribuohet VV-së dhe kjo do të ketë kosto në zgjedhje lokale

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Analistja politike, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti 2 për menaxhimin e pandemisë duke thënë se Vetëvendosja kishte marrë vota pas frustrimit të qytetarëve me LDK-në që e prishi koalicionin qeverisës në pikun e pandemisë.

“Njerëzit po vdesin. Janë dhjetëra qindra njerëz që kanë vdekur vetëm në javët e fundit. Edhe ka qenë mënyra se si është menaxhuar vaksinimi i qytetarëve dhe mënyra se si janë siguruar vaksinat, duke mos i blerë shteti por duke pritur që shtetet tjera të na ndihmojnë. Reagimi ka mundur të jetë në një mënyrë shumë më efikase. Kemi qenë dëshmitarë që qytetarët kanë qenë shumë të frustruar pse LDK-ja doli nga qeveria dhe u prish qeveria pikërisht në pikun e pandemisë vjet. Për shkak që qytetarët kanë qenë të frustruar kanë shkuar dhe kanë vendosur për Vetëvendosjen duke shpresuar se do të jetë vërtet ndryshimi substancial. Ndryshimi nuk do të thotë që të jetë edhe më keq sesa ka qenë përpara”.

“Është shumë lehtë e matshme se si është menaxhuar pandemia dhe kjo është e vërejtshme edhe nga mbingarkesa e spitaleve, menaxhimi i vaksinave dhe të tjera. Vetëm fakti që i ka dalë afati vaksinave të cilat janë dhuruar dhe mosmenaxhimi i tyre, mosbërja e ndonjë kampanje vetëdijësuese dhe mosgjetja e zgjidhjeve nga qeveria tregon se sa kreative është kjo qeveri dhe sa është në gjendje për të administruar me problemet që ka”.

Ajo, në Rubikon të Klan Kosovës, është shprehur e bindur se Vetëvendosja do ta paguajë çmimin për (keq)menaxhimin me pandeminë në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Unë mendoj që e gjithë situata e pandemisë dhe menaxhimi i saj i atribuohet vetëm Vetëvendosjes dhe kjo do të ketë patjetër kosto në zgjedhje lokale. Nuk ka gati familje që nuk e ka të paktën një të afërm që ka pësuar nga COVID-19”,

Të ngjashme