MAP-i planifikon që nëpunësve civilë t’u shtohen edhe dy ditë në pushimin vjetor

Prishtinë | 18 Sht 2019 | 07:54 | Nga Ekonomia Online

Nga 18 ditë pushim në vit sa kanë pasur zyrtarët publikë deri më tani, me rregulloren e re të Ministrisë së Administratës Publike (MAP), parashihet që zyrtarët publikë të pushojnë 20 ditë pune në vit. Drafti i Rregullores për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë, që ka dalë në konsultim të martën, pritet që të shfuqizojë Rregulloren më numër 2010/5 për Orarin e Punës dhe Rregulloren më numër 2011/6 për pushimet e nëpunësve civilë. Kufizimet, që janë të vendosura në këto dy dokumente, janë bartur në një dokument të vetëm me disa ndryshime.

Njëri prej ndryshimeve që ka ndodhur është në llogaritjen e ditëve të pushimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Nëpunësit civilë, me orar të plotë për çdo vit kalendarik, kanë të drejtë në pushim vjetor me pagesë në kohëzgjatje minimale prej tetëmbëdhjetë (18) ditë pune, në shkallën prej një ditë e gjysmë për çdo muaj kalendarik të punësimit”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 4 të Rregullores për pushimet e nëpunësve civilë.

Në këtë nën të kësaj rregulloreje, gjithashtu, është e paraparë që për çdo dy vjet përvojë pune të kaluar në Shërbimin Civil dhe jashtë tij, nëpunësit civil i shtohet pushimi vjetor për një ditë pune.

Që të dyja këto kufizime është paraparë të ndryshohen në rregulloren e re, njëra në favor të zyrtarëve publikë e tjetra në disfavor të tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme