Me dështimin e takimit në Washington, Kosova humbi projekte milionëshe, Abrashi thotë se ShBA-ja na përkrahte

Prishtinë | 19 Kor 2020 | 08:15 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dështimi i takimit të 27 qershorit në Washington pos mundësisë së zgjidhjes së marrëveshjes me Serbinë, la Kosovën edhe pa pesë projekte të rëndësishme strategjike, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ndonëse ishte pjesëmarrës në këtë takim, ai kishte udhëtuar vetëm që të paraqesë pjesë projekte shumë të rëndësishme për ekonominë në vend.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Abrashi ka folur për këto projekte, teksa ndihet keq që dështoi ky takim, për të cilën thotë se ka marrë përkrahje nga amerikanët dhe nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, që këto projekte të kryhen si bashkëfinancim.

“Udhëtimi i kryeministrit Hoti në Uashington ka marrë shumë vëmendje politike dhe është folur për dialog por theksi themelor ka qenë ekonomia. Prandaj edhe unë kam qenë pjesë e ekipit përkundër që kam udhëtuar ndaras. Ideja ka qenë që të takohem atje, ku kam pas të paraqes së paku pesë projekte dhe aty ndihem keq që ky takim në Uashington nuk ka ndodhur sepse mendoj se së paku me dy projekte të mira për Kosovën isha kthyer prapa, nuk po them me të pestat por së paku me dy”, u shpreh ai, duke thënë se është dëm i madh për vendin dështimi i këtij takimi.

Abrashi ka treguar se për cilat projekte bëhet fjalë. Ai thotë se në këto projekte ka pasur për synim që të kërkojë financa dhe kredi të buta, teksa thotë se ka marrë edhe përkrahjen e kryeministrit Hoti.

“Në prezantimet që kam pasur ta bëjë në Uashington, kam dashur që ta prezantojë dhe të kërkoj edhe financa, kredi të buta. Kryeministri Hoti më ka dhënë leje që të garantoj dhe të zotohem se Qeveria e Kosovës do t’i jap së paku 200 milionë euro në mënyrë që tjerat t’i marrim si kredi dhe grante për një numër të madh të projekte strategjike për Kosovën”.

“E para ka të bëjë me vazhdimin e autostradës nga Truda për në Merdar, që është mendoj projekt i madh strategjik dhe ka një kosto të madhe dhe është vështirë me financa tona ta financojmë. E dyta, Hekurudha, nga Fushë-Kosova deri në Merdar, pastaj që lidhet me Nish e tutje. E treta, në kuadër të ndërtimit të autostradës së Hekurudhës dhe bashkimit të Prishtinës me regjionin, projekte që është pasur të prezantohet ka qenë një stacion multimodal në Prishtinë, një stacion i madh i autobusëve, i trenave, i veturave, i cili kish me akumuduar krejt qarkullimin e madh që kishte me ndodhë përgjatë kësaj autostrade të hekurudhës, e cila merr karakter ndërkombëtarë”, u shpreh ai.

Ndër projektet që do t’i prezantonte në Uashington, Abrashi thotë se një projekt ka të bëjë që një pjesë e autostradës “Ibrahim Rugova”, në mënyrë që pjesa nga Fushë-Kosova e deri në Orllat nuk mund ta duroj fluksin e madh të automjeteve kur të ndërtohet autostrada e Dukagjinit.

“Projekti i katër ka qenë që një pjesë e re e autostradës ‘Ibrahim Rugova’ sepse e dini që nga Fushë-Kosova deri në Orllat është rrugë nacionale dhe kur e kishim ndërtuar autostradën deri në Merdar dhe autostradën e Dukagjinit, kjo pjesë e rrugës nacionale nuk kishte mundur të duroj fluksin e madh të veturave sepse është rrugë nacionale”.

“Prandaj unë kam propozuar një ndihmesë një autostradë që vazhdon deri në Lipjan por pastaj lidhet në Duhel në mënyrë që të shkarkohet kjo pjesa e mbetur”, u shpreh ai.

Projekti i pesë ka të bëjë me sjelljen e gazsjellësit në Kosovë nga Maqedonia. Thotë se ky projekt do ta ndihmonte shumë ekonominë e Kosovës, e që thotë se amerikanët kanë qenë të interesuar ta përkrahin këtë projekt. Abrashi për EO tregoi se ky projekt ka qenë që një pjesë të kryhet me bashkëfinancim, një pjesë kredi e butë dhe pjesa tjetër si grant,

“Projekti i pestë ka qenë infrastruktura e gazit, pra një gazsjellës nga Maqedonia deri në Obiliq, i cili kishte me ndihmuar ekonominë e Kosovës shumë edhe amerikanët kanë qenë shumë të interesuar që ta përkrahin këtë projekt”.

“Gjithsesi ky projekt ka qenë një pjesë bashkëfinancim, një pjesë kredi e butë dhe tjetër grant, pra kjo ka qenë formula me të cilën ne jemi përgatitur që të shkojmë në SHBA dhe kryeministri Hoti më ka dhënë garanca të plota që unë të ulëm dhe të shikoj se cilat nga këto marrëveshje mund t’i përfitojmë dhe të shprehemi se jemi të gatshëm që të hyjmë në bashkëfinancim dhe të marrim me kredi”.

“Fatkeqësisht dështimi i udhëtimit në ShBA ka bërë që edhe këto projekte të mbesin në letër, por unë kam pasur biseda përsëri me zyrtarë në ShBA, sepse edhe para shkuarjes kam biseduar me ta dhe kam diskutuar, kështu që edhe tani besoj se do të ketë lëvizje, unë kam diskutuar për ide mbes me shpresë se këto projekte do të realizohen”, shtoi Abrashi, teksa tha se nëse nuk realizohen të gjitha projektet, së paku është optimist se dy prej tyre do të realizohen.

Të ngjashme