Mesazhi që ua lanë Kurtit dhe Vuçiqit top-këshilltarët e Scholzit dhe Macronit

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Që nga largimi i Angela Merkelit nga skena politike në Gjermani, ishte zbehur edhe angazhimi aktiv i Berlinit në duet me Parisin e Macronit sa i përket procesit të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë pas një periudhe gati dy vjeçare, dy qendrat e Evropës janë rikthyer thellë në negociata. Kancelari Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, javën e kaluar dërguan në Prishtinë dhe Beograd top këshilltarët e tyre politikë, nën shoqërimin e emisarit Miroslav Lajcak, me qëllim të shtyrjes përpara të bisedimeve, shkruan Gazeta Express.

Nga pala kosovare nuk është që u dha shumë informacion pas takimeve të Kurtit me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, por ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, i cili një ditë pas takimit me dy diplomatët ka treguar se në tavolinën e takimit i ishte prezantuar një kornizë e re për negociatat e Brukselit, nëse është për t’i besuar.

Për çështjen e “kornizës së re” të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë është pyetur sot një konferencë për media edhe shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kosova s’pranon gjysmë-zgjidhje por vetëm zgjidhje të tilla siç i përshkruan presidenti amerikane Joe Biden në letrat e tij për Kosovën dhe Serbinë, pra marrëveshje finale me njohje reciproke.

Por cili ishte me të vërtetë qëllimi i këtij takimi, a u propozua kornizë e re dialog dhe a ka hequr dorë Berlini nga kërkesa që procesi i negociatave të përmbyllet me një marrëveshje ku përfshihet edhe njohja reciproke?

Lidhur me këto çështje ekskluzivisht për Gazetën Express kanë folur nga zyra për media e Qeverisë Federale të Gjermanisë.

Nga Berlini kanë thënë se kjo vizitë është realizuar në dritën e situatës së përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe tensioneve të fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu kanë konfirmuar se kanë pasur diskutime të thella me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, dhe kreun e shtetit serb, Aleksander Vucic, me të cilët kanë diskutuar opsione për rrugën përpara të dialogut që çon në normalizim të plotë.

“Ata kanë pasur diskutime të thella dhe të rëndësishme me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vucic, duke eksploruar opsione për rrugën përpara në Dialogun e udhëhequr nga BE-ja në rrugën drejt normalizimit të plotë”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express.

Siç ka theksuar ky zëdhënës për Gazetën Express, vizita e dy top-këshilltarëve në Prishtinë dhe Beograd ka qenë për të dhënë mesazhin e qartë se çështjet e vështira politike siç është normalizimi i plotë duhet të trajtohen në një mënyrë vendimtare dhe më të shpejtë që të mos i lihet vend përshkallëzimit të situatës në terren.

 “Vizita përcolli mesazhin e qartë se çështjet e vështira politike në lidhje me rrugën drejt normalizimit të plotë duhet të trajtohen në një mënyrë më vendimtare dhe të shpejtë tani, në mënyrë që të mos ketë vend për përshkallëzim në terren”, ka përfunduar për Express ky zëdhënës i Qeverisë Federale të Gjermanisë.

Lidhur me takimet në Prishtinë dhe Beograd kishte folur edhe emisari sllovak, Miroslav Lajcak, i cili i ka shoqëruar përgjatë kësaj vizite dy emisarët franko-gjerman. Lajcak ka paralajmëruar se diskutimet do të vijojnë edhe ditëve në vazhdim.

Të ngjashme