Miftaraj: Shkarkimi i Dakës precedent i rrezikshëm, u cenua demokracia e procesi zgjedhor

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 09:56 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj po e sheh si precedent të rrezikshëm shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Miftaraj në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Dakës ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën përkatësisht me nenin 61 të zgjedhjeve të përgjithshme.

“Fatkeqësisht një vendim i tillë nuk ka qenë në pajtim me Kushtetutën dhe ka qenë në kundërshtim të plotë me nenin 61 të zgjedhjeve të përgjithshme. Institucionet në Kosovë me theks të veçantë siç është presidentja e Kosovës do të duhej të ishte shembull i ligjshmërisë për qytetarët dhe të tjerët se si respektohet Ligi dhe procedura dhe assesi në asnjë rrethanë nuk do të duhej të përfshihej në shkelje kushtetuese e ligjore. Në këtë drejtim me vet faktin se vendimi i djeshëm ka thyer një parim kushtetues e ligjor që garanton pavarësinë e KQZ-së atëherë prek demokracinë dhe procesin zgjedhor”.

Ai thekson se e vetmja mënyrë për t’u shkarkuar kryetar i KQZ-së bëhet përmes propozimit nga 2/3 e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, derisa thotë se vendimi ka qenë arbitrar dhe ka krijuar një precedent të rrezikshëm që mund të pasohet edhe në institucionet e tjera.

“Unë besoj që është me rëndësi për qytetarët që ta kuptojnë se në bazë të kushtetutës e vetmja mënyrë për tu shkarkuar kryetari i KQZ-së është përmes propozimit nga 2/3 e anëtarëve prezent në KQZ dhe vetëm nëse ka pasur shkelje dhe janë plotësuar kriteret, vendimi i presidentes ka qenë arbitrar dhe ka ndërtuar një precedent të rrezikshëm që mund të pasohet edhe në institucionet e tjera”.

Ndërsa për udhëheqësin e ri të KQZ-së, Miftaraj thotë se janë plotësuar kriteret, i cili mund të ushtroj përgjegjësitë në bazë të Kushtetutës.

“Pozita e kryetarit e KQZ është pozitë menaxheriale dhe personi që është caktuar në këtë rast ka qenë kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë ka pasur pozita menaxheriale në bazë të ligjit dhe në bazë të ligjit propozohet që të jetë nga radhët e gjyqtarëve të Apelit dhe Supreme dhe në aspektin formal janë plotësuar kriteret dhe personi që është caktuar është i pranueshëm dhe mund të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë në bazë të Kushtetutës”.

“Në të kaluarën presidenti është konsultuar me Këshillin Gjyqësor dhe Kryetarin e Gjykatës Supreme për të gjetur një gjyqtarë të pranueshëm, në rastin konkret presidentja në publik nuk është konsultuar”.

Reagime të shumta ka pasur edhe nga subjektet e tjera politike duke e konsideruar shkarkimin e Dakës si të papranueshëm dhe politik.

Ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka u shkarkua të hënën nga presidentja Vjosa Osmani, derisa kjo e fundit menjëherë ka emëruar Kreshnik Radoniqin si kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të ngjashme