Molliqaj: Muri vetëm do të shkurtohet

Prishtinë | 04 Shk 2017 | 17:10 | Nga

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, thotë se muri në veri nuk do të rrënohet, siç po proklamon Qeveria, por vetëm do të shkurtohet.

Molliqaj, përmes një statusi në Facebook, ka pyetur se pse duhet që Qeveria të bëjë marrëveshje për heqjen e një ndërtimi ilegal, që për më tepër, sipas tij, paraqet agresion të Serbisë në Kosovë.

Zyrtari i VV-së po ashtu ka pyetur edhe për faktin se pse “në një rast të tillë duhet të jenë prezent edhe ndërkombëtarët”.

“Pse Qeveria nuk ka treguar se çka nënkupton pika 3 e marrëveshjes ku parashihet dizajni i ri që kufizon lirinë e lëvizjes në atë pjesë, ku siç po shihet, në fakt muri nuk do të rrënohet por vetëm do të shkurtohet”, ka vazhduar me pyetjet e tij, Molliqaj.

Siç deklaron zyrtari i subjektit opozitar, “me këtë akt, Qeveria jonë e konfirmoi edhe një herë që nuk ka sovranitet në veri dhe se kjo pjesë nuk është sikur komunat e tjera të Kosovës”.

“Asnjë Qeveri serioze nuk do të negocionte dhe arrinte marrëveshje për akte kriminale që cenojnë sovranitetin”, shtoi Molliqaj.

Ai tha në fund se “kjo Qeveri nuk duhet të bëjë ASGJË lidhur me veriun, sepse çkado që bën (edhe nëse duket mirë në shikim të parë) është e dëmshme për shtetin”.

“Qasja e saj avantureske na solli këtu. Çështja e veriut të vendit zgjidhet vetëm me një qeveri të re që ka qasje të re”, përfundon Molliqaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme